Nishani, Jahjaga: Pavarësia e Kosovës, realitet i pamohueshëm. Thaçi: Integrimi në BE, prioritet i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës
Kreu i shtetit shqiptar: Në dialogun me Serbinë Kosova merr pjesë si shtet sovran
Presidenti shqiptar Bujar Nishani mbajti një fjalim përshëndetës në Kuvendin e Kosovës, ku shprehu edhe njëherë qëndrimin e tij për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt integrimit në BE, ndërsa theksoi se Pavarësia e Kosovës dhe kufijtë e saj janë të pakthyeshëm.
“Rikonfirmoj qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë se çështja e Kosovës është kapitull i mbyllur, ne mbështesim pavarësinë e saj dhe të kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Ne kemi treguar se dimë të jetojmë në harmoni me fqinjët dhe për këto arsye forcim i faktorit shqiptar duhet parë jo si kërcënim po si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”- deklaroi para ligjvënësve kosovarë presidenti shqiptar, i cili shtoi se shqiptarët në rajon kanë një rrugëtim të përbashkët integrimin evropian.
Gjatë fjalës së tij Nishani shprehu mirënjohjen dhe nderimin e veçantë për ata gjenerata burra e gra që me pushkë e pene kontribuan në lindjen e shtetit shqiptar që sot mbush 100 vjet dhe në mbajtjen gjallë të Kosovës dhe çlirimit të saj. Një nderim të veçantë presidenti shqiptar shprehu për presidentin Rugova, njeriu që sipas tij politikën e ktheu nga një utopi në një mjet të fuqishëm të aspiratave për liri.
Gjithashtu mirënjohje e nderim Nishani rezervoi shprehu edhe për komandantin Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët që me sakrificën sublime inspiruan dhe i treguan botës që për liri shqiptarë nuk njohin kufi.
Duke shprehur mirënjohjen për SHBA-në dhe NATO-n Nishani u shpreh se: “bazuar në parimet e humanizmit dhe vlerat demokratike vepruan me forcë për të shpëtuar një popull liridashës dhe paqedashës” , ndërsa vendimi ëpr t’i dhën fund pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës shërben për ndërtimin e një shoqërie si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.
Në fjalën e tij presidenti shqiptar shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e tij për të mbështetur Kosovën në forumet rajonale dhe në rrugën evropiane.
“Tani hapet një kapitull i ri. Kosova meriton të zërë vendin e saj në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare. Angazhohem solemnisht se gjatë mandatit Kosova do jetë kryefjala e veprimtarisë sime dhe mbeshtja në rrugën e integrimit euroatlantik”- nënvizoi Nishani, i cili theksoi se:
“Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë dhe procesi i nisur për Kosovën janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi jo vetëm gjatë 100 viteve të fundit”- tha Nishani, i cili shprehu bindjen se udhëheqësit e Kosovës do të bëjnë këtë vend më të mirë e më demokratik.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, e vlerësoi vizitën e Presidentit Nishani si një rast të mirë për përparimin dhe zgjerimin e dy vendeve tona në interes të përbashkët. Sipas tij kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë se është në 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe tregon ecjen gjatë këtyre viteve që ka bërë populli ynë.
Nishani-Thaçi: Prioritet i dy vendeve procesi i integrimit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht i uroi mirëseardhje Presidentit shqiptar Nishani, në vizitën e tij të parë zyrtare në këtë cilësi në Republikën e Kosovës.
Në vazhdim, ai bëri një ekspoze të të arriturave të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
“Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i agjendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO” – theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Thaçi për mikpritjen dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është në interes strategjik të të dyja vendeve.
Nishani-Jahjaga
Të dy presidentët ranë dakord se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë efikase.
“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.
E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit”- u shpreh presidenti Nishani.
Presidentja Jahjaga, e cila çmoi vizitën e Nishanit tha se mes tyre pati një bisedë të frytshme për bashkëpunimin e dy vendeve dhe investimet. “Këtë vit përfundon rruga e Kombit dhe do të kontribuojë jashtëzakonisht shumë dhe dalja e Kosovës në portet e Shqipërisë. Kjo është një rëndësi ekonomike.”- tha Jahjaga e cila falenderoi homologun shqiptar për ndihmën që është dhënë në të gjitha fushat sidomos në lobimin e mëtejshëm për njohjet.
Nga ana e tij presidenti Nishani tha se “Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe faktor kryesor për paqen “. Ai vlerësoi Jahjagën për kontributin në formimin e shtetit dinjitoz dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën dhe përpjekjet për të ndihmuar në përfshirjen e saj në kartën e Adriatikut.
Sipas axhendës së njoftuar nga Presidenca kosovare, pasdite bëhen Homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë në Familjen Rugova. Në vazhdim, Presidenti Nishani viziton Kishën Katolike në Binçë të Vitisë.
Të premten, paradite Presidenti Nishani mban një ligjëratë në Universitetin AAB si dhe do të zhvillojë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” dhe vizitë në familjen Jashari.
Presidenti Bujar Nishani i cili ndodhet në Kosovë, me ftesë të Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga. Në këtë vizitë të parë shtetërore në Kosovë në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, Presidenti kryeson një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit janë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha dhe Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla.