E Diel, 1 Nëntor 2026

Neni 178 i Kodit që mban peng kompromisin, përplasja e juristëve dhe e politikanëve

Djegia e fletëve të votimit, çfarë mendojnë juristët për ligjin

Eljona Ballhysa
Megjithëse parimisht duket se dy partitë e mëdha kanë rënë dakord për zgjidhjen e krizës politike, mësohet se kompromisi nuk arrihet për shkak të interpretimeve të ndryshme që i bëhen nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Është pikërisht ky nen që sqaron administrimin e kutive me materialet zgjedhore dhe fletët e votimit që mban ende peng kompromisin. Ky nen ka përplasur jo vetëm dy kampet e politikës që kanë mendime dhe qëndrime të ndryshme, por edhe juristët, të cilët bëjnë interpretime të ndryshime ligjore. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, – shkruhet në pikën 6 të nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, është shprehur se fletët e votimit do të digjen në muajin gusht, pavarësisht nëse mund të arrihet një kompromis politik mes partive. Ndërsa anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehet se fletët e votimit nuk mund të digjen, pasi ato kanë një afat prej dy vjetësh që duhet të ruhen. Për këtë ajo i referohet një tjetër pike të këtij neni, duke thënë se Kodi Zgjedhor parashikon një afat 2-vjeçar për arkivimin e materialeve zgjedhore, afat i cili korrespondon dhe me kohën kur KQZ-ja mund të mbajë në ambientet e saj kutitë e votimit pa i asgjësuar.
Konstitucionalistët
Edhe konstitucionalisti i njohur, Niazi Jaho, në një intervistë dhënë gazetës “Albania”, shpjegoi me detaje ligjore procedurën. Sipas tij “fletët e votimit janë pjesë përbërëse në zinxhirin e dokumentacionit zgjedhor. Në këtë vështrim, nëse komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve lejohet të këqyrë dokumentacionin zgjedhor, nuk ka arsye të përjashtoheshin fletët e votimit me justifikimin se ato do të digjen. Është e vërtetë se, sipas nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor (dispozitë kalimtare), fletët e votimit dhe kundërfletët digjen në mbikëqyrjen e KQZ-së, por derisa ky veprim ende nuk është kryer, ato nuk pushojnë së qeni dokumente zyrtare. Duhet pasur parasysh faktin se komisionet hetimore parlamentare nuk janë komisione të zakonshme, por një instrument mjaft i rëndësishëm kontrolli i Legjislativit. Pikërisht për këtë arsye, ligji u njeh atyre të drejtën e zbatimit të normave të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa në Vendimin Nr. 18, dt. 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese, që interpretoi nenin 77, pika 2 të Kushtetutës, thuhet: ‘Ato ushtrojnë edhe kompetenca gjyqësore apo quasi gjyqësore’”, - ka sqaruar konstitucionalisti Jaho.
Politikanët
Ndërsa politikanët janë të ndarë në këtë pikë. Kështu, opozita kërkon hetimin e kutive me materialet zgjedhore dhe ngrirjen e fletëve të votimit deri në përfundim të procesit hetimor. Sipas deputetëve të opozitës, në rast se vërehen manipulime të procesit zgjedhor dhe lind nevoja që manipulimi të vërtetohet nëpërmjet rinumërimit të fletëve të votimit, atëherë komisioni hetimor parlamentar kërkon një shqyrtim ligjor të mundësisë së rinumërimit të votave nga Komisioni i Venecias. Më pas është ky komision që vendos nëse është ligjore hapja e kutive të votimit ose jo. Por, sipas tyre, fletët nuk mund të digjen pa përfunduar procesi hetimor. Ndryshe mendojnë deputetët e kampit të djathtë. Ata parimisht kanë rënë dakord për të hetuar kutitë me materialet zgjedhore, por sipas tyre, në momentin që hapen kutitë me këto materiale duhet të digjen automatikisht fletët e votimit, duke zhdukur në këtë mënyrë një provë thelbësore të manipulimit të mundshëm të zgjedhjeve. Pikërisht këto qëndrime janë dhënë nga të dyja kampet e politikës gjatë bisedimeve të zhvilluara me ekspertët e BE-së. Pritet që situata ligjore të vlerësohet nga këta ekspertë, të cilët më pas do të sugjerojnë rrugë të reja për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Neni 178, pika 6:
“Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas Kodit, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, tabelat, procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”.

Subashi: “Fletët e votimit nuk mund të digjen për një afat dyvjeçar”

Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka sqaruar në një prononcim për mediat se neni 178 i Kodit Zgjedhor parashikon një afat 2-vjeçar për arkivimin e materialeve zgjedhore, afat i cili korrespondon dhe me kohën kur KQZ-ja mund të mbajë në ambientet e saj kutitë e votimit pa i asgjësuar. Për ta ilustruar, Subashi ka sjellë në vëmendje dy precedentë, ku sipas saj, kutitë e materialeve zgjedhore janë hapur dhe fletët e votimit nuk kanë pësuar asgjë. Subashi i referohet 18 nëntorit të vitit 2005, kur materialet zgjedhore u këqyrën nga komisioni hetimor parlamentar i kohës dhe më 2009-n, kur Prokuroria e Fierit hapi kutitë e Ruzhdies, dhe në të dyja këto raste fletët e votimit nuk u dogjën. “Kjo praktikë ka ndodhur në vitin 2005. U ngrit një komision hetimor parlamentar. Është operuar me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe janë vënë në dispozicion materialet e kërkuara nga komisioni hetimor parlamentar. Sigurisht që kjo vendimmarrje nuk ka përcaktuar në të njëjtën kohë edhe vendimmarrjen tjetër që parashikon neni 178 i Kodit Zgjedhor, i cili është identik edhe me Kodin Zgjedhor të vitit 2005 në këtë pjesë”, - tha Subashi.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›