E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: “Kodi parashikon djegien e fletëve të votimit”



Gjatë një konference për shtyp, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, argumentoi se në Kodin Zgjedhor theksohet se materialet zgjedhore, pas përfundimit të procesit zgjedhor, shkojnë në Arkivin Qendror të Shtetit. “Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - citoi Patozi nenin e Kodit Zgjedhor, duke shtuar se “është KQZ-ja që hap kutitë e votimit, se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkiv, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit”. Kreu i Grupit Parlamentar theksoi se çdo qëndrim tjetër i ndryshëm nga ky që përcakton Kodi Zgjedhor, është antiligjor dhe antikushtetues. Patozi përsëriti se propozimi i Ramës për hapjen e kutive të votimit bie gjithashtu ndesh me vendimin e Kolegjit Elektoral.

Ristani: “Djegie të fletëve të votimit brenda gushtit”

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka theksuar se ligji imponon vetëm një rrugë për çështjen e kutive të votimit: dërgimin e materialeve zgjedhore në Arkiv dhe djegien e fletëve dhe kundërfletëve. Ristani e cilëson propozimin e PS-së për zbardhjen e materialit zgjedhor dhe dërgimin e çështjes së hapjes se kutive të votimit për rinumërim në komisionin e Venecias, një zgjidhje jashtë kuadrit ligjor. “I vetmi veprim që kryhet nga KQZ-ja është hapja e kutive të votimit, seleksionimi i dokumentacionit që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, dërgimi i tij në Arkivin e Shtetit dhe djegia e fletëve të votimit dhe kundërfletëve. Kjo është veprimtaria e përcaktuar me ligj brenda së cilës do të veprojë KQZ-ja dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër jashtë këtij kuadri ligjor”, - është shprehur Ristani. Ai ka shtuar më tej se afati për një kompromis mes palëve për çështjen e kutive ka mbaruar dhe i vetmi institucion që ka në dorë trajtimin e tyre është KQZ-ja.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›