E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga punonjësit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve



TIRANË - Arrestohet në flagrancë inspektori i Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve, Gramoz Guci. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se 37-vjeçari akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Inspektori Gramoz Guci është kapur dy ditë më parë rreth orës 13:45, në aksin rrugor Fushë-Krujë-Vorë, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin “Man”, me targë BC 1001 B, dyshohet se i kanë marrë shumën prej 492 mijë lekësh. Guci, sipas policisë, është punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve. Por, përveç arrestimit të 37-vjeçarit, kanë nisur hetimet dhe ndaj dy të tjerëve. “Filloi procedimi penal në gjendje të lirë për konsumim të veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ edhe dy punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve, Jak Paloka dhe Sharamet Qendro”, - thanë gjatë ditës së djeshme burime nga Policia e kryeqytetit. Pas ndalimit të Gucit dhe vënies nën hetim të dy të tjerëve, dosja me materialet në ngarkim të tyre i është dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme. Policia kishte marrë informacione se i arrestuari dhe dy të tjerët mbulonin gabime të ndryshme të mjete, në këmbim të parave që i merrnin nga drejtuesit e tyre.

Grekët bllokojnë pa asnjë paralajmërim doganën
GJIROKASTËR - Është bllokuar pa asnjë lajmërim qarkullimi i automjeteve ndërmjet dy shteteve, Greqi e Shqipëri, në pikën e kalimit kufitar. Greva e fermerëve grekë mësohet të jetë bërë shkak për këtë anomali, që zgjati nga ora 16:00 deri në orën 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Sipas policisë mësohet se qarkullimi i mjeteve është bërë për arsye se 2 kilometra në thellësi të tokës greke fermerët grekë do të bllokojnë rrugën (pasi protestojnë kundër uljes së pagave e rritjes së taksave nga ana e shtetit grek). Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se bllokimi prek vetëm lëvizjen e automjeteve, ndërsa këmbësorët mund të lëvizin pa probleme, por duhet të përshkojnë në këmbë rreth 2 kilometra nga dogana greke për tek autobusët grekë në vendin e quajtur "Hani" në aksin rrugor Kakavijë- Janinë. Deri rreth orës 18:00 gjendja në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës ka qenë e qetë, pa radhë automjetesh dhe pa ndonjë tjetër problem.

Në pranga i kërkuari, tentoi të vriste një të ri
KORÇË - Ka rënë në pranga një i kërkuar nga Policia e Korçës. Burime zyrtare thanë se në pranga është vënë një person i shpallur në kërkim për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Kanë qenë efektivët e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Korçë që kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit Olger Mustafa, 5//////// vjeç, lindur dhe banues në këtë qytet i dënuar më parë për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit pa leje”. Policia tha se i arrestuari ishte shpallur në kërkim në datën 15 prill 2010, pasi në vendin e quajtur “Bonboneria” në Lagjen Nr. 9 Korçë, pas një konflikti për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin M. Hysolli. Pas ngjarjes, në ngarkim të Olger Mustafës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë”, si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Terror në rrugë, i dehuri ndjek tre persona me armë në dorë
DURRËS - Një 35-vjeçar në gjendje të dehur ka ndjekur me armë në dorë nëpër rrugë tre persona. Policia e Durrësit tha se ka vënë në pranga në flagrancë Panajot Domin, 35 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në fshatin Rinia të qytetit bregdetar. Ndalimi i tij është bërë pasi duke qenë në gjendje të dehur është konfliktuar në rrugë me tre persona, duke qëlluar në ajër me armë zjarri. Tre personat e kërcënuar prej autorit mbajnë inicialet K. C., N. C. dhe K. C., që të tre banues në fshatin Shën Vlash të Durrësit. Mësohet se ata u ndoqën nga 35-vjeçari i lartpërmendur me një armë “Shotgan” që ai e mbante në automjet, duke u qëlluar disa herë në ajër. Gjatë ndalimit të tij, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e përdorur në këtë ngjarje si dhe një gjerdan me 31 copë fishekë të kalibrit 12 milimetërsh. Policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe materialet për veprat penale të “kanosjes”, “prishje së qetësisë publike”, si dhe “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur”. Dosja i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Bie tavani i bibliotekës, plagoset një studente
DURRËS - Një ngjarje e rrallë ka ndodhur dje në bibliotekën e Durrësit, duke vënë në rrezik jetën e një studenteje të universitetit “Aleksandër Moisiu”. Studentja me iniciale E. K. kishte shkuar në bibliotekë për të tërhequr disa libra kur tavani i ndërtesës është shembur duke rënë sipër saj. Vajza mësohet se është dërguar menjëherë në spital. Pas kësaj ngjarjeje drejtuesit e bibliotekës kanë ndaluar hyrjen e personave të tjerë në institucion. Pas incidentit policia ka nisur hetimet, ndërsa drejtoresha e bibliotekës ka thënë se prej vitesh ka kërkuar rikonstruksionin e godinës për shkak të gjendjes së amortizuar por nuk është bërë i mundur riparimi i saj. Flora Dervishi, drejtoreshë e bibliotekës, ka thënë se godina është tejet e amortizuar dhe se nuk është kryer asnjë ndërhyrje në të prej dhjetë vitesh.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›