E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënkryetari i FFM-së, Bexheti: Ymeri, përgjegjës për mospërfshirjen e shqiptarëve ne Kombëtaren e Maqedonisë

Nga Shkupi, Reshat IBRAHIMI
Shkup– Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Rexhep Bexheti dhe dy anëtaret e Këshillit Drejtues të FFM-së, Zylkadri Iseini dhe Shehat Rexhepi thonë se nuk janë përgjegjës për mospërfshirjen e futbollistëve shqiptarë në përfaqësuesen e Maqedonisë. Sipas tyre përgjegjësia bie mbi ndihmëstrajnerin e Srecko Katanecit, Uran Ymeri, i cili është emëruar në këtë detyrë nga ana e tyre. "Unë nuk jam seleksionues dhe s'mundem t'i vlerësojë futbollistët se cili mund të luajë. Lojtarët i zgjedh seleksionuesi e jo ne. Nuk mund t'i bëjmë presion Katanecit, madje as Hari Haxhi Risteski nuk ka të drejtë t'i thotë atij të marrë këtë ose atë lojtarë. Ne e kemi emëruar Uran Ymerin dhe ai duhet të përcjellë futbollistët shqiptarë dhe t'i bëjë presion Katanecit për të marrë lojtarët shqiptar në reprezentacion. Ndërsa nëse ai nuk përfillet nga Kataneci le të tregojë. Nga seleksionuesi kërkohen rezultate dhe ai vendos se kë do ta ftojë në përfaqësuese", është shprehur nënkryetari i FFM-së, Rexhep Bexheti. Ai apelon te lojtarët shqiptar që të angazhohen më shumë për të luajtur në skuadra jashtë vendit dhe pastaj të vijnë në reprezentacionin e Maqedonisë. "Po e shihni se Kataneci numrin më të madh të futbollistëve e ka futbollistët që luajnë në ligat e ndryshme të futbollit evropian. Prandaj lojtarët tanë le të mundohen të shkojnë në ekipe jashtë vendit dhe pastaj do të grumbullohen në reprezentacion. Po kush nuk ka dëshirë që të luajnë edhe futbollistët shqiptar për Maqedoninë?", përfundoi Bexheti. Anëtari KD të FFM-së, Zylkadri Iseini thotë se kundër Shqipërisë ka pasur vend edhe për më shumë futbollistë shqiptar dhe jo vetëm për Pollozhanin. "Pa i mohuar kualitetet e lojtarëve tjerë shqiptarë, them se për momentin Pollozhani e meriton të jetë në përfaqësuese. Për ndeshjen kundër Shqipërisë është dashur të ftohen edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë, sepse edhe ata e meritojnë. Por për këtë nuk mund ta akuzojmë Katanecin, sepse ne kemi emëruar trajnerin tonë aty. Dhe nëse ai nuk përfillet nga seleksionuesi duhet të na tregojë. Ymeri duhet të jetë më konstruktiv me ne shqiptarët në KD dhe të na njoftojë për të gjitha risit. Duhet të na tregojë nëse nuk ka peshë te Kataneci", ka pohuar Iseini, duke shtuar se gjatë kësaj jave do të ulen për të diskutuar rreth kësaj cështje. "Do ta diskutojmë me Rexhep Bexhetin këtë cështje. Unë mendoj se edhe Kataneci ka faj pse nuk i ka ftuar shqiptarët në këtë miqësore. Por përgjegjësia i bie Uran Ymerit. Shpresoj se do të rregullohet kjo punë. Edhe një po ua them Kataneci ka suksese dhe ai nuk mund të ndërrojë ekipin derisa ka rezultate, ndërsa në momentin kur i mungojnë sukseset atëherë mund të ndërhyjmë", thotë anëtari i KD të FFM-së, Iseini. Ndërsa sipas anëtarit tjetër të KD të FFM-së, Shehat Rexhepi futbollistët nuk kanë të drejtë të akuzojnë përfaqësuesit shqiptarë që janë në FFM, ngase është seleksionuesi ai që vendos. "S'kemi të drejtë t'i përzihemi Katanecit se kë e merr dhe kë nuk e merr. Po të ishte seleksionuesi maqedonas do të dyshoja për mospërfshirjen e shqiptarëve, ndërsa tani kur është Kataneci nuk dyshoj. Atij i interesojnë rezultatet, sepse për atë ka ardhur. Ne e kemi vënë Uran Ymerin, i cili duhet të përcjell futbollistët shqiptarë, ndërsa nëse nuk përfillet nga seleksionuesi, atëherë le të jep dorëheqje. Ai është përgjegjës që nuk ka shqiptarë në reprezentacionin e Maqedonisë", është shprehur Shehat Rexhepi. Ai thotë se cdo seleksionues vendos për taktikën e lojës dhe ndoshta nuk i kanë pëlqyer 5 propozimet e Ymerit, seleksionuesit Katanec. "Ndoshta Kataneci nuk ka besim te Ymeri dhe nuk ia merr propozimet në konsideratë. Ndërsa ne s'kemi të drejtë t'i themi Katanecit se merri këta lojtarë shqiptarë, sepse asnjë trajner nuk vjen me kushte për të drejtuar një skuadër. Është përgjegjësia e Ymerit që nuk dëgjohet nga seleksionuesi", thotë në fund ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›