Nënpresidenti Baiden, sot në Bruksel për bisedime në NATO
Nënpresidenti amerikan Xho Baidën tha se përkeqësimi i situatës në Afganistan përbën kërcënim sigurimi për Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Nënpresidenti Baidën tha se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara të bashkëpunojnë nga afër me aleatët evropianë lidhur me një strategji të re për stabilizimin e rajonit.
Zoti Baidën i bëri këto komente në një takim të Këshillit të Atlantikut Verior, forumi vendim-marrës i NATO-s.
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një kontingjent prej 17 mijë trupash të tjera në Afganistan dhe i kanë bërë thirrje aleatëve të NATO-s të shtojnë kontributin e tyre.
Shumë vende europiane ngurrojnë të dërgojnë trupa të tjera ushtarake në Afganistan, por kanë thënë se mund të ndihmojnë me mënyra të tjera si trainim të policisë ose në përgatitjen e vendet për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për këtë vit.
Presidenti Obama ka thënë se është i hapur ndaj idesë për bisedime me elementë të moderuar të Talibanit. (ze)