E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin punimet për rikonstruksionin e 4 rrugëve në Tropojë

Në rrethin e Tropojës kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e punimeve për rikonstruksionin e disa prej akseve rrugore rurale, përmes Fondit të Zhvillimit Shqiptar (FZHSH). "Firmat fituese të tenderave sapo kanë nisur punimet, ndërsa nga specialistët janë përgatitur edhe projekte të tjera me synimin e ndryshimit rrënjësor të gjendjes së rrugëve rurale të këtij rrethi",- tha nënprefekti Syl Smajlaj. Sipas tij, punimet brenda këtij muaji, do të nisin në rikonstruksionin e aksit rrugor që lidh komunën e Lekbibajt me qytetin e Bajram Currit, të aksit rrugor Sopot - Begaj, Sopot - Kërnajë e Kam Tropojë- Qafë e Prushit. "Të gjitha punimet në këto këto 4 akse rrugore rurale do të përfundojnë brenda muajit tetor të këtij viti",- saktësoi Smajlaj. Gjendja e akseve rrugore rurale të këtij rrethi është mjaft e rënduar, mungojnë punimet mirëmbajtëse edhe për shkak se ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale ka mundësi financiare të kufizuara,  ndonëse kanë një gjatësi prej rreth 154 kilometrash. Këshilli i Qarkut, ka miratuar si prioritare për t'u rikonstruktuar 11 akse rrugore rurale, për të cilat edhe janë përgatitur projektet. Rikonstruksioni i disa prej tyre si Dragobi - Cerem - Vranicë - Bjeshkë me një gjatësi prej 9,3 kilometrash është jetik për zhvillimin e turizmit malor të fshatrave të zonës së Valbonës, apo i aksit rrugor Pac - Berishë, me gjatësi 13 kilometra që u shërben 2000 banorëve, që gjatë dimrit është vazhdimisht i pakalueshëm. "Rikonstruksioni tërësor i këtyre akseve rrugore bëhet edhe me pjesëmarrjen e komunitetit, i cili shlyen financiarisht 10 për qind të kostos, gjë që do të ndikojë në mirëmbajtjen afatgjatë të tyre",- thotë Smajlaj. Rikonstruksioni i akseve rrugore të këtij rajoni përfshin zgjerim të trasesë së rrugës, ndërtim të veprave të artit e në disa prej tyre edhe asfaltimin, gjë që do të ndryshojë rrënjësisht gjendjen e këtyre akseve rrugore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›