Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan
Qeveria shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim
Këshilli i Ministrave miratoi dje marrëveshjen me bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar me përparësi këtë rrugë dhe tunelin e Kërrabës, si një vepër që jo vetëm do të shkurtojë distancën midis dy qyteteve, por do t’i integroi ato pothuaj në një treg të vetëm.
“Një vepër kjo që shndërron distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këto dy qytete të shndërrohen pothuaj në një treg të vetëm. Kostoja totale e projektit është rreth 407 milion dollarë, por gara e projektit që u bë ka dhënë një kursim të ndjeshëm dhe ne shpresojmë që edhe segmente të tjera do të shoqërohen me kursim. Në çdo rrethanë, qeveria është e vendosur të financojë këtë projekt me përparësi absolute, qindarkë për qindarkë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha tha se qeveria mbetet gjithashtu e angazhuar edhe për fillimin e ndërtimit të një tjetër vepre të rëndësishme infrastrukturore, tunelin e Qafë Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit, projekti i të cilit është në përfundim e sipër.
“Po pret me padurim përfundimin e projektit të Qafë Murrizit, tunelin e rrugës së Arbrit që kërkon një certifikim më të plotë, pasi projekti i parë që u bë në një kuotë prej 715 metra për fat të keq doli se nuk mund të ndërtohej në atë kuotë, për shkak të strukturës gjeologjike. Projekti i dytë është lartësuar në një kuotë prej 830 metra, por aty po bëhen verifikimet e fundit të shtresave të përbërjes gjeologjike, në mënyrë që të merret vistoja përfundimtare për tenderimin e të tij. Në këtë mënyrë, me tre tunelet, tunelin e Elbasanit, tunelin e Qafë Murrizit dhe tunelin e Kalimashit, ne i sjellim fizikisht shqiptarët më afër njëri-tjetrit se kurrë, pasi shpirtërisht ata janë”, konkludoi Berisha.
Brenda pak ditëve pritet të nisë nga puna ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, e cila parashikohet të finalizohet brenda një kohe shumë të shkurtër, për 18 muaj nga dita e fillimit.