Lulzim Basha në 2007-ën kishte si mision ndërtimin e “Korridorit të Kombit”
Duke e cilësuar Lulzim Bashën si personalitetin më të suksesshëm të Partisë Demokratike dhe qeverisë së djathtë, Berisha sqaroi se në 2007-ën z.Basha kishte një tjetër mision dhe s’mund të kandidohej për bashkinë e kryeqytetit. “Në 2007-ën z.Basha ishte në një mision jashtëzakonisht të madh, siç ishte rruga, korridori i kombit. E kam theksuar disa herë, z.Basha ka dhënë një kontribut shumë, shumë të madh. Rruga kishte një mijë armiqësi të pakapërcyeshme deri në ato momente. Kishte kundërshtarë nga më primitivët, të cilët shihnin ndërtimin e saj si fatalitet për vendin dhe insfrastrukturën e vendit. Por, ishte një ide e vetme, si atëherë që, kur zgjerohej Durrësi, binte një port. Sot, është një kohë tërësisht tjetër, ndaj dhe kundërshtarët e rrugës ishin në një farë mënyrë me prirje raciste ndaj shqiptarëve, sikundër nuk donin pavarësinë e Kosovës një pjesë. Në mënyrën më absolute PD-ja, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, kanë vetëm një qëllim të bëjnë për Tiranën atë që meriton Tirana. Unë shkoj në skajet më periferike të vendit për të inauguruar rrugë dhe ujësjellësa, por në qendër të Tiranës ka rrugë të shkatërruara. Kur kemi ardhur në pushtet, kemi gjetur një grand të qeverisë vendore me 7 mld lekë, sot është 35 mld lekë. Sot kemi nj raport shumë herë më të mirë se ai që ishte. Ne e kemi bërë këtë me një qëllim thelbësor, për të mirën e komunitetit. Para 3 javësh kam udhëtuar në Bubq dhe Ishëm, përmes një rruge panoramike 14 km, ato rrugë janë të ndërtuara, por është e dhimbshme kur në kryeqytet në 4 vjet nuk janë asfaltuar as 12 km rrugë. Z.Rama e ka grantin 13 milionë lekë në 1.2 milionë. Por ai e ka shndërruar buxhetin në rroga. Në vend që Z.Rama të përdorte 600 milionë për rrugë dhe rrugica, i shndërroi në rroga, prandaj nuk pranonte ta dorëzonte në Këshillin Bashkiak buxhetin. Kur kam ardhur në pushtet Z.Rama merrte gjithsej 50% të taksës së biznesit të vogël, sot Z.Rama merr 100% të taksës për biznesin e vogël”- vuri në dukje Berisha. Ai shtoi se sot Tirana vuan ndotjen e jashtëzakonshme si dhe paralizimin e trafikut. “A ngjason ky kryeqytet i vendit në një pozicion gjeografik më të bukurit në Evropë dhe botë, me kryeqytetet e vendeve evropiane që shqiptarët vizitojnë? Jo. Prandaj, ne shkojmë në 8 maj për të ndryshuar Tiranën. Shqiptarët sot lëvizin dhe kanë të drejtën legjitime të krahasojnë. Çfarë kemi në Tiranë sot? Tirana sot është së paku 3 herë më e banuar më shumë se sa kishte në vitin ‘90-të. Çfarë ka ndryshuar për ët hedhur një hap drejt standardeve Evropiane? Nuk flas për gjëra estetike dhe bukuri. Jo. Më të rëndësishme janë rrugët, infrastruktura. Nëse dilni jashtë akseve kryesore të këtij qyteti, rrugicat janë në gjendje të mjerueshme. Me transportin, ky është i vetmi kryeqytet në Evropë pa transport. Linjat e urbanëve iu grisin qytetarëve abonetë. Ato nuk janë linja. Mënyra më e shkëlqyer për transportin publik është partneriteti me interesin publik. Tirana nuk e pranoi kompaninë më të madhe nga Kopenhageni për rregullimin e trafikut. Cila është Tirana kulturore? Nëse ti qytetar i lënë me këtë infrastrukturë mjerave dhe del në një shesh ku ke bërë viza dhe thua se ke bërë rrugë, kjo është e papranueshme se vetëm 100 metra më tutje gjen mjerimin e infrastrukturës. Tirana është i vetmi kryeqytet pa një park lojërash për fëmijët. Ndryshimet janë thelbësore. Nuk mund të krahason ndërtimet në Farkë me batërdinë e Tiranës. Në kryeqytet nuk ekziston një zonë industriale. Sepse nuk ekziston preokupimi më minimal i kryetarit të Bashkisë. Tregu është gjeneratori i punësimit. Gjithashtu, ne do të fillojmë me çdo kusht konceptin jetik vetjak të çdo qytetari për mjedisin në shtëpinë e tij. Tirana renditet sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, si qyteti më i ndotur në Evropë. Kjo ndotje i kushton qytetarëve të Tiranës 1 vit e gjysmë jetë më pak. Mjedisi kudo dhe në çdo vend gjykohet mbi bazën e standardeve. Tirana ka trafikun më katastrofik. Çdo qytet ka një orë mbingarkese, si p.sh kur qytetarët shkojnë dhe kthehen nga puna, ndërsa Tirana është gjithë kohën e paralizuar. A mund të pranohet që kryeqyteti të ketë atë pamje të tmerrshme, të mbushur me tym dhe pluhur? Ne, për sistemimin e plehrave ndërtuam land-fillin në periferi, por bashkia nuk transporton plehrat atje, i derdh në lumë. Ka mbushur lumin me plehra. Ai lumë mund t’i shndërrohet Tiranës në një mirësi mjedisore dhe jo të bëhet mbartës i mbeturinave”- deklaroi kryeministri. Berisha tha gjithashtu se do bëjë fushatë vetëm për qytetarin dhe se s’do i përgjigjet shpifjeve, trillimeve dhe sharjeve të fushatës së pisët të Edi Ramës.