OSBE: Nuk është koha për të bërë ndryshime në ligjin e zgjedhjeve

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth u bën thirrje forcave politike që të ulen në tryezë për përgatitjet e 8 majit dhe jo për ndryshime të Kodit Zgjedhor
Ambasadori i OSBE-se në Shqipëri, Eugen Ëollfarth, ka vizituar Gjirokastrën, po veçanërisht zonën e minoritetit me qëllimin e interesimit mbi përgatitjet dhe mënyrën se si do të votojnë minoritarët në 8 maj. Interesit të medias në vizitën e tij në kalanë e qytetit, ambasadori iu përgjigj për sa i përket faktit që Shqipëria është e detyruar të hyjë në zgjedhje me këtë kod zgjedhor. “Dita e zgjedhjeve është shumë pranë dhe nuk është koha të ndryshohet Kodi Zgjedhor pasi përgatitjet janë në fazën e fundit dhe qytetarët votuesit kanë nevojë për siguri ligjore. Zgjedhjet do të zhvillohen me këtë kod zgjedhor që është në fuqi. Nuk do të ishte e udhës të bëheshin ndryshime në këto momente. Kandidatët nuk mund të hyjnë në zgjedhje nëse ndryshimet bëhen tani. Kodi aktual e jep këtë siguri dhe një pjese e kësaj sigurie është të mos kemi ndryshime të papritura”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.
Ai i ka dhënë gjithashtu një mesazh politikës shqiptare së Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Të gjithë kandidatët duhet të hyjnë në garë me një lloj dëshire të mirë. Unë pres me dashamirësi që situata të jetë e mirë dhe të gjithë kandidatët të futen në zgjedhje duke prezantuar planet e tyre. Dëshiroj që të gjitha gjërat të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë ne kemi dhe skuadrën tonë të vëzhguesve në Tiranë. Ne duam që këto zgjedhje të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të drejtë”, tha ai.
Ndërsa për sa i përket regjistrimit të popullsisë duke u bazuar edhe në kombësinë apo besimin fetar ai u përgjigj se, “di që regjistrimi i popullsisë do të bëhet brenda këtij viti, por nuk kam një opinion të saktë mbi regjistrimin mbi kombësinë dhe fenë, kjo është një çështje e shqiptarëve”.