E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria heq tarifën doganore për mallrat e industrisë fason

01-04-2011 / Gazeta 55

Vendim nxit punësimin dhe eksportet

Industria fason përbën sektorin me numrin më të lartë të të punësuarve. Për të lehtësuar zhvillimin e kësaj industrie dhe për t’i dhënë një tjetër prioritet eksportit të fasonëve, Qeveria shqiptare vendosi dje të heqë taksën doganore prej 12.5 përqind për mallrat e industrisë fason. Duke prezantuar këtë masë të fundit fiskale të qeverisë, kryeministri Berisha tha se synon nxitjen e inkurajimin më të madh të kësaj industrie ndër më të rëndësishmet për punësimin dhe eksportet.
“Kjo industri, ka bërë që prodhimet shqiptare të kenë treg të suksesshëm e të garantuar në mbarë Europën e botën, si dhe pas shërbimeve, është ndër sektorët më kryesorë të punësimit në vend. Kryeministri theksoi se Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend tërheqës për këtë industri nga sipërmarrës të huaj. Eksportet ‘Made in Albania” kryesojnë dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por industria fason ka një meritë ndofta më të veçantë se të tjerat dhe merita e saj është punësimi. Pa diskutim, pas shërbimeve, është ndër sektorët më kryesorë të punësimit në vend. Kjo industri, me avancimet e saj, me fuqizimin, forcimin e zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale të vendit, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një industri eksporti i vendit, pra, eksporti ‘Made in Albania’”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministri kjo ka implikacione në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër, kjo përbën një nxitje e inkurajim të madh për këtë industri.
“Kam bindjen se në rast se këtë vit do të ketë një ndikim të caktuar jo të vogël në buxhetin e shtetit, vitin që vjen kjo do ta rikthejë këtë mungesë me dyfishin e saj, përveçse ka vlerë shumë të madhe, sepse rritet punësimi rritet, jep një zgjidhje të madhe për punësimin, sepse kjo në fakt është industria kryesore punësuese dhe i jep një rritje të madhe eksporteve, duke ngushtuar kështu gjithë e më shumë me sukses disbalancën tregtare, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë problemi më kryesor i ekonomisë së vendit, problem që është mbuluar me sukses të plotë dhe kur them sukses të plotë, duke mos pasur asnjë pasojë të vetme nga remitancat, paratë që kanë dërguar emigrantët tanë nga të katër anët  e botës, por po ecën me shpejtësi këto dy vitet e fundit drejt mbulimit, ngushtimit me prodhim”, tha Beisha.
Shqipëria është i vetmi vend që në një hark kohor dyvjeçar arrin të dyfishojë eksportet e saj. Eksportet e vitit 2010-2011 do të jenë dy herë më të mëdha se ato të vitit 2008-20009, gjë përbën një arritje vërtetë shumë të madhe. Në rast se ky trend vazhdon, ekonomia shqiptare do të ketë një balancë tregtare të papërfillshme, më vonë edhe pozitiv.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›