E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për realizimin e fazës së dytë të projektit për ofrimin e internetit falas në pikat e aksesit publik

-       Ky projekt e bën Shqipërinë një ndër vendet e pakta të planetit që ofron internet falas në mbarë vendin

Në prani të Kryeministrit Berisha u nënshkrua sot, në mjediset e Këshillit të Ministrave, marrëveshja e bashkëpunimit për realizimin fazës së dytë të projektit “Ofrimi i shërbimeve të qeverisjes elektronike, nëpërmjet pikave të aksesit publik në ambientet e propozuara nga njësitë e pushtetit vendor dhe institucionet arsimore”.

Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, Zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, ministrit të Brendshëm z. Flamur Noka dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj.

Marrëveshja bën të mundur që qytetarët shqiptarë, në mbarë vendin,  të mund të përdorin internetin falas në pikat e aksesit publik. Posta Shqiptare në bazë të projektit PAP 1 (Pikat e Aksesit Publik) ofron internet falas në të gjitha zyrat postare. Me marrëveshjen e sotme do të nisë zbatimi i projektit PAP 2 në bashkëpunim me Prefekturat, Bashkitë dhe Komunat e vendit, një sistem prej 1250 zyrash të ofrimit të internetit falas.

Kryeministri Berisha e cilësoi këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme. “Unë jam i bindur se ky akt madhor në historinë “Shqipërisë dixhitale” do të ketë pasojat më pozitive, do të ketë për rrjedhojë një ridimensionim të madh të përdorimit të internetit në të katër anët e vendit, nga qytetarët shqiptarë”, tha Kryeministri.

Nga këto zyra të internetit falas, 49 prej tyre janë në universitete. Kryeministri Berisha theksoi që Posta Shqiptare, sipas mundësive, të mund të shtojë numrin e pikave të aksesit të internetit falas në universitete.

Kryeministri Berisha vlerësoi të gjithë ata që bën të mundur këtë zhvillim, si dhe u shpreh se qeveria do të bëj gjithçka për ndjekur me vendosmëri të madhe arritjet e kësaj fushe dhe shndërrimin e këtyre arritjeve në një realitet pozitiv për qytetarët shqiptarë. “Në botën virtuale nuk ecet, në botën virtuale rendet me vrap. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që vrapi ynë të mos ndalet ndonjëherë, ta bëjmë Shqipërinë një superfuqi rajonale të ICT-së”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar zotërinj ministra,

Zoti Gorea,

Zoti Ibro,

Të nderuar të pranishëm,

Sot, midis katër ministrive të këtij kabineti qeveritar, institucionit të Postës Shqiptare dhe OST-së firmoset një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen tonë të bërjes realitet dhe të shndërrimit në të vërtetë të ëndrrës, të projektit “Shqipëria dixhitale”. Kjo marrëveshje do të bëjë të funksionojë në mbarë vendin një sistem prej 1250 zyrash, në të cilat qytetarët shqiptarë, në veçanti të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, do të mund të lundrojnë, të shërbehen dhe të përdorin internetin falas. Mendoj se ky vendim që ka marrë Posta Shqiptare, pas reformash të thella, përbën një arritje madhore. E bën Shqipërinë një ndër vendet më të pakta të planetit që ofron internet falas në mbarë vendin. Unë jam i bindur se ky akt madhor në historinë e Shqipërisë dixhitale do të ketë pasojat më pozitive dhe, për rrjedhojë, do të ketë një ridimensionim të madh të përdorimit të internetit në të katër anët e vendit, nga qytetarët shqiptarë.

Nga këto zyra të internetit falas, rreth 49 prej tyre janë në universitetet e vendit. Unë këtë e konsideroj shumë të rëndësishme. Sikundër, do të inkurajoja Postën Shqiptare që, sipas mundësisë, edhe të mund të shtojë në këto universitete numrin e pikave të aksesit të internetit falas. Pasi ne këtu kemi sot 162 mijë të reja dhe të rinj të këtij vendi. Pra kemi përqendrimin më të lartë. Këto zyra të internetit falas shtrihen në zyrat e komunave dhe bashkive të vendit, në shkolla. Mendoj se do t’i japim një dimension të ri dhe rritje të fuqishme përdorimit të internetit, lundrimit në botën virtuale të të rinjve dhe të rejave shqiptarë, përfitimit të informacionit jetik, shumë të rëndësishëm. Sot e drejta për informacionin, në të vërtetë, është bërë një e drejtë themelore e njeriut. Pasi asgjë nuk është e lidhur me të vërtetën më shumë sesa e drejta e informacionit dhe informacioni.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo marrëveshje firmoset pasi në një hark kohor 6 vjeçar, me nismën që morëm “Shqipëria dixhitale”, ne kemi shënuar rezultate nga më qenësoret, më të rëndësishmet. Sot përdorimi i internetit në Shqipëri është mbi 60 përqind, kundrejt vetëm 4.8 përqind që ishte në vitin 2005. Sot furnizimi i rrjetit, krahasuar me vitin 2005, është rreth njëmijë herë më i madh në fluks. Në këtë hark të shkurtër kohor Shqipëria shënoi disa rekorde në lëminë dixhitale. Shqipëria u bë vendi i parë në botë për prokurimin elektronik. Shqipëria në vitin 2011 u bë e dyta në botë për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit u zgjodh një nga 20 qytetet inteligjente, në kuptimin e high tech-ut, në botë. Postieri shqiptar është postieri më dixhital që mund të ekzistojë, për çka edhe posta u nderuar me një çmim botëror. Gjatë ditëve në vazhdim qytetarët do të njihen me arritje të tjera të rëndësishme të “Shqipërisë dixhitale” dhe Shqipërisë mobile, dhënies së të gjitha këtyre shërbimeve, gradualisht, nëpërmjet telefonit celular.

Unë, edhe një herë, dua të përgëzoj të gjithë ata që bën të mundur këtë zhvillim të shpejtësisë më të madhe; të falënderoj Postën Shqiptare, e cila me reformat e saj ka dhënë një kontribut thelbësor në realizimin e “Shqipërisë dixhitale”; të falënderoj ministritë; të falënderoj punonjësit e sektorit për kontributin e tyre; të garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria do të bëj gjithçka për ndjekur me vendosmërinë më të madhe arritjet e kësaj fushe dhe për t’i shndërruar ato në një realitet pozitiv për qytetarët shqiptarë. Në botën virtuale nuk ecet, në botën virtuale rendet me vrap. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që vrapi ynë të mos ndalet ndonjëherë, ta bëjmë Shqipërinë një superfuqi rajonale të ICT-së.

Faleminderit!”


20/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›