E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë kutitë e Fierit, KQZ bashkon ankesat e PS-PD

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos t’i bashkojë të dy kërkesat ankimore të Fierit të PS-së dhe të PD-së. Shtatë anëtarëve iu është dashur një orë e gjysmë kohë që të diskutojnë në lidhje me procedurat që do të ndiqen për shqyrtimin e ankesës së PS-së me numër 19 për qarkun e Fierit, në mënyrë të veçantë apo së bashku me ankimimin e PD-së për të njëjtën çështje. Partia Demokratike dje në orën 12:40, kishte paraqitur te protokolli i KQZ-së ankesën për qarkun e Fierit, duke bërë që shqyrtimi i ankesës së PS-së të mbesë pezull. Pas pranimit të kërkesës së PD-së nga ana e KQZ-së, përfaqësuesit demokratë Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi deklaruan se janë për bashkimin e dy çështjeve, si dhe kërkonin shtyrjen e tyre për ditën e sotme, pasi janë brenda afateve. “KQZ nuk bëri mirë që kaloi kërkesën e PS-së pa u mbyllur afati ligjor i depozitimit të ankimimit, por e ndërmori një vendim të tillë nisur nga sensibiliteti që ka çështja e Fierit, si dhe për të ruajtur balancat politike. Ne si PD kërkojmë bashkimin e kërkesave dhe shqyrtimin e saj në ditën e nesërme (sot), pasi jemi për respektimin e ligjit”, tha Ivi Kaso, avokati i PD-së në KQZ. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj deklaroi se edhe nëse vendosej bashkimi i kërkesave, KQZ duhet të shqyrtojë të parën atë si ankesë, pasi është më voluminoze dhe është në çështje të saj. Anëtari Klement Zguri tha se dy kërkesat duhet të bashkohen mbi bazën e nenit 132 të Kodit Zgjedhor, duke ruajtur strikt ligjin. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, deklaroi se “kërkesat duhet të shqyrtohen duke e nisur me çështjen e PS-së, e më pas kur arrijnë në të dyja pikat e njëjta, bëjmë bashkimin e çështjes”. Kryekomisioneri Ristani bëri të ditur se duhet të bashkohen kërkesat. Katër anëtarët e maxhorancës në KQZ votuan pro bashkimit të kërkesës së PS-së me PD-në për qarkun e Fierit, ndërsa tre anëtarët e majtë votuan kundër. Shtatë anëtarët më pas u fokusuan në çështjen se nëse shqyrtimi i kërkesave duhet të realizohej menjëherë apo nesër. Demokratët kërkuan shtyrjen për respektimin e afatit ligjor, ku Bylykbashi theksoi se “mund të ketë ende parti politike për të kontestuar qarkun e Fierit”. Socialistet shprehën skepticizmin e tyre në lidhje me shtyrjen e shqyrtimit të kësaj çështje. Pas shumë përplasjesh mbi mënyrën e zbatimit të neneve të Kodit Zgjedhor, KQZ vendosi me shumicë votash që kërkesa e përbashkët për qarkun e Fierit të shqyrtohet sot në orën 17:00. PD-ja në ankimin e saj për Fierin kërkon rivlerësimin e 440 votave të deklaruara të pavlefshme për QV 3052 në KZAZ numër 19, kundërshton vendimin e KZAZ nr.20 në deklarimin si të parregullt të dy kutive të votimit QV. 3185, QV. 3188. Gjithashtu PD-ja kërkon rivlerësimin e votave të konsideruara si të vlefshme në QV 3196 në KZAZ numër 20. Partia Socialiste në ankimin e saj kërkon që numërohen kutitë e votimit në KZAZ numër 18, 19, 20, 22. Këtu përfshihen edhe vlerësimi i dy kutive të qendrave të votimit 3185 dhe 3188, ashtu siç kërkon edhe PD-ja.
PS, PDK ankimojnë Shkodrën
Në momentin që po shqyrtohej çështja e Fierit, PS ka depozituar në orën 17:00 kërkesën për të ankimuar vendimin e KQZ-së për qarkun e Shkodrës. Në kërkesën e saj, PS kërkon hapjen e të gjitha kutive dhe vlerësimin e votave në qarkun e Shkodrës. Ankim kundër këtij qarku ka bërë edhe PDK-ja, që kërkon rivlerësimin e votave, sidomos në KZAZ 44 që prek Bushatin. Gjithashtu PD-ja ka paraqitur ankimin e saj për 11 kutitë e KZAZ numër 37 të qarkut të Lezhës. Ndërsa debati mes anëtarëve është bërë me ankesën e G99 për qarkun e Beratit. Kryekomisioneri Ristani tha se kërkesa është kopjuar nga PS-ja, është e njëjta vetëm adresa e selisë i mungon. Kjo u hodh poshtë nga përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj duke e cilësuar si të pavërtetë. “Për të mashtruar jeni të vetmit. Të thuash që nuk është e njëjta është mashtrim, është identike e njëjta”, iu kundërpërgjigj Ristani. Por nënkryetarja Subashi reagoi duke shtuar se “nuk i shkojnë një kryetari të një institucioni të tillë si KQZ, që të thotë se Partia Socialiste mashtron”.

debati i djeshem ne kqz

Arben Ristani:
Kërkesa e G99 është identike me kërkesën e PS-së, është shkruar nga një kompjuter, nga një format copy-paste e gjithçka. Është identik vetëm adresa ndryshon, edhe renditja dhe çdo gjë tjetër është njësoj. Kush ka sy e shikon..

Genc Gjonçaj, PS:
Nuk është e vërtetë mor kryetar. S’kanë asnjë lidhje.

Arben Ristani:
Për të mashtruar jeni të vetmit. Të thuash që nuk është e njëjta, është mashtrim, është identike e njëjta.

Dëshira Subashi:
Nuk i shkojnë një kryetari të një institucioni të tillë si KQZ, që të thotë se Partia Socialiste mashtron.

Arben Ristani:
Nuk thashë ashtu, por thashë që të thuash që nuk është e njëjtë është mashtrim.

Dëshira Subashi:
Mos gënjeni sy për sy, sapo e thatë që PS mashtron. Vazhdo punën, se si e ke nisur kështu kryetar nuk e ke etikën e sjelljes në mbledhje. S’ke ç’i bën formës tënde(largohet nga mbledhja)

Arben Ristani:
Po gënjeni ju që thoni nuk është e njëjtë. Prandaj ik andej nga je nisur dhe mos bëj komente kot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›