Vëzhguesit: Numërimi i votave u cenua
Llazar Semini
Vëzhguesit ndërkombëtarë u shprehën të premten se interferencat politike kanë penguar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën muajin e kaluar në Shqipëri. Një numër prej rreth 500 vëzhguesish ndërkombëtarë kanë monitoruar procesin zgjedhor në Shqipëri, të cilat konsiderohen si një test i rëndësishëm për progresin demokratik të këtij vendi të vogël në rajonin e Ballkanit.
“Numërimi i votave vijoi në kushtet e një niveli të lartë mosbesimi ndërmjet partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve”, - shprehet në një raport paraprak misioni ndërkombëtar i vëzhguesve që kryesohet nga zyra e OSBE-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri po shqyrton aktualisht ankesat e paraqitura nga partitë politike, përpara se të ndahen përfundimisht mandatet e 140 vendeve në Parlamentin e vendit.
Sipas rezultateve paraprake, Kryeministri konservator Sali Berisha ka fituar 47.99 për qind të votave, opozita socialiste 44.31 për qind dhe partia e tretë LSI 5.48 për qind. Demokratët e Berishës dhe LSI kanë shpallur se do të formojnë një koalicion me qëllim që të përmbushin qëllimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Por socialistët në opozitë e akuzojnë partinë qeveritare për ndërhyrje në një proces rinumërimi, në përpjekje për të fituar më shumë vende në Parlament dhe duke kërcënuar se nuk do të njohin rezultatin përfundimtar.
Vëzhguesit e cilësuan procesin e numërimit si të keq ose shumë të keq, për sa u përket 22 nga 66 qendrave të votimit ku pati tensione ndërmjet partive, veçanërisht në ato qendra ku rezultatet dukeshin të afërta. Ata vunë re gjithashtu probleme procedurale, që lidhen me mungesën e trajnimit të mjaftueshëm si edhe kritikuan Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për menaxhim të dobët të administratës së nivelit më të ulët dhe mungesë konsistence në shqyrtimin e ankesave.
Në reagimin e tyre të parë pas datës 28 qershor, vëzhguesit raportuan disa përmirësime, por theksuan nevojën për progres të mëtejshëm për të përmbushur standardet ndërkombëtare, duke kërkuar dhënien fund të votimit familjar dhe klimës së polarizuar politike. Konflikti për zgjedhjet ndodh në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të përmirësojë standardet e saj zgjedhore dhe për të fituar anëtarësinë e mundshme në BE. Shqipëria, e cila iu bashkua NATO-s në prill, u gjend para një presioni intensiv ndërkombëtar për të siguruar që zgjedhjet e shtata paskomuniste të mos karakterizoheshin nga manipulimet që u vunë re gjatë 6 zgjedhjeve të para në vendin ballkanik, që doli nga regjimi komunist në 1990.
“Associated Press”