Berisha në Durrës, vazhdon turin “Shqipëria po ndryshon”
Turi elektoral “Shqipëria po ndryshon” i Kryeministrit Berisha duket se do të shndërrohet në moto të qeverisë në katër vitet e ardhshme. Në turin post zgjedhor të falënderimeve dhe inaugurimeve, kreu i qeverisë ka zgjedhur pikërisht qytetin e Durrësit, i cili i dha PD-së shtatë deputetë në Parlamentin e ardhshëm, kundrejt pesë të Partisë Socialiste. Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të fillimit të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, investim i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 13 milionë euro. Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se ndërtimi i këtij bypass-i modernizon transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit. “Sot ne inaugurojmë mbikalimin, nyjën e Shkozetit, një investim prej 1.5 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro, ndihmë bujare e qeverisë Kuvajtiane, të cilës ne i shprehim mirënjohjen më të thellë. Ky mbikalim modernizon transportin e kësaj zone, si dhe përjashton nga trafiku i rëndë bulevardin e zonës së plazhit”, u shpreh Berisha. Sipas tij, investimi i radhës në qytetin e Durrësit do të jetë unaza e qytetit, teksa shtoi se investimet në rrethe nuk do të jenë të orientuara sipas dallimeve partiake. “Përkundrazi, ne do të shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me unazën që meriton dhe për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë takim të parë që pas zgjedhjeve të së dielës të 28 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike ka falënderuar qytetarët që i besuan mandatin e dytë.