Kur i qahet halli kalorësit…
TEODOR LAÇO
Këto ditë, shumica e analistëve politikë të shtypit e të medias vizive, por edhe drejtues të partive të vogla majtas e djathtas, janë vënë në mbrojtje të vendimit të LSI për t’u bërë pjesë e qeverisë së ardhme. Ky zell, besojmë se diktohet nga një këndshikim më i lartë e më i largët sesa ai i të qenurit, hapur apo nën rrogoz, ithtarë të njërës apo tjetrës palë. Ky ndoshta do të ishte një nga shpjegimet dhe zbatimet në praktikë të parullës efemere “përtej së majtës e së djathtës”. Që mund të përkthehej edhe se “përmbi të majtën e të djathtën” qëndron diçka tjetër: Atdheu. Natyrisht nuk mungojnë as kundërshtarët, përndryshe nuk do të ishim këta që jemi, kryeneçë e egocentristë. Për fat të mirë, zërat e tyre sa vjen e bien në sordinë. Sa për mua, Meta nuk ka nevojë për mbrojtje. Akti i tij, i shprehur me qartësi e elokuencë befasuese edhe në bisedën e fundit në “Opinion”, do të dëshiroja të ishte një stad i ri emancipimi i politikës shqiptare, e cila, edhe sipas ndërkombëtarëve, vazhdon të shquhet nga skajshmëria e oratorive dhe qëndrimeve. Nëse do të ecet edhe më pas në këtë rrugë, Berisha dhe Meta do të meritonin përgëzime e lavdërime. Shumëkush, e kam fjalën për qytetarin e thjeshtë të elektoratit të papërcaktuar, që mahnitet dhe i çmon protagonistët e politikës nga performanca e tyre nëpër debatet televizive apo nga pena e mprehtë në shtyp, nuk e ka pritur këtë veprim kaq të mençur nga ky djalosh me fizik prej mundësi, i rrokullisur nga Tomori. Është dukur jo rrallë si një shkëmb që s’merr të çarë. Ka qenë një aparencë. Nuk është e thënë që domosdo të ndritësh, pa të të marrin për ar.
E kam ndjekur rrugën e këtij djali, si edhe të tjerë, pa patur kurrfarë miqësie me të, pa pirë asnjë kafe siç thuhet, që nga viti ’92. Në sallën e Kuvendit i kishim tryezat pranë. E vëreja sesi në ato ndërkohët e këndshme të pushimeve, kur në sallën e kafes, ata që në seancë “kishin çarë barqet”, tani ia qepnin plagët njëri-tjetrit (“kështu e do politika, elektorati”) ai qëndronte në vendin e tij duke u përleshur me një metodë të anglishtes. Një herë u rrekën t’ia hiqnin mandatin, sepse kishte dalë në krye të një turme që protestonte në Poliçan. Në atë rast, megjithëse ishim në kampe të kundërta, e kam mbrojtur me një diskutim që është botuar në gazetën “Alternativa SD”. Në Kuvendin e viteve ’92-‘96, demokracia e brendshme e partive politike nuk qe aq e tulatur nga autoriteti i liderëve, siç ndodhi më vonë. Kujtoj se një mocion për heqjen e imunitetit G.Rulit dhe R.Ukës, i iniciuar nga vetë partia e tyre, dështoi pas votimit të fshehtë. Më vonë, u pohua se ai kishte qenë kryeministri më i suksesshëm i 8 viteve të socialistëve. Kur u krijua LSI, u duk se edhe ajo mund të pëlciste si tullumbace nga gjembi i parë që do të merrte pas zgjedhjeve. Por, megjithëse e mësymur hapur e tinëz, kjo nuk ndodhi. Përse? Falë disa rrethanave si zhgënjimi i një pjese të socialistëve nga qeveria e tyre, falë tërheqjes në krye të saj të disa figurave me emër dhe stof të mirë politik, e mjeteve më të shumta apo i disa bashkëpunimeve me biznesin, dështimi u shmang. LSI gjeti truallin e vet dhe i nguli këmbët fort aty. Këtu nuk mund të anashkalohet as aftësia organizative dhe vendosmëria e lidershipit të saj për veprime politike të pavarura, madje edhe të skajshme, si
demaskimi para të tjerëve i dukurisë “Dushk” që denatyroi përfaqësimin në Kuvend apo greva e urisë kundër Kodit të ri Zgjedhor. Në rastin e këtij të fundit, dobiçin e formulës së të cilit, me largpamësinë e një politikani të rrahur me vaj e me uthull, Berisha ia la në derë Ramës, me përjashtim të Metës, ndonëse ishte e qartë edhe për nivelin e një maturanti se formula e re do t’i margjinalizonte deri në pikë të hallit, gjithë drejtuesit e tjerë të partive të vogla u treguan belbacuke, u matën me hijet e mëngjesit ose u pajtuan me të, me atë mendësinë e ariut që thoshte se do të bëjnë gorricat, se më hahen mua! I vetmi që e kuptoi se do të mbetej pa ujë ishte Pollo, që me të drejtë zgjodhi kthimin në origjinë. Në pamundësi për të bërë diçka më të mirë, Ceka të paktën e nuhati nga do të anonte peshorja dhe u bashkua me koalicionin fitues, gjë që s’mund të thuhet për Dulen, madje edhe për Milon, që si më elastiku midis së majtës, e kishte shansin të bënte një rrëshqitje të butë, ashtu si Koçi e Apostoli me partitë e tyre të reja.
Në këtë situatë, ringrihet para syve të miletit, muri i vjetër që quhet MORAL. Si mund të shpërfillet fjala e dhënë dikur, diku? Ç’do të thonë e ç’do të vuajnë 80 mijë zemrat që rrahën për Metën? Sigurisht, ato i besuan Planit të tij për Veprim, por vallë si mund të vihej në jetë më mirë ky plan? Duke qenë në opozitë apo në pushtet? Njeriu, por edhe njeriu-militant, është pragmatist. Para inateve për Berishën, ai bën hesapet e veta. Por le të bëjmë edhe një hamendje tjetër. Nëse në skenë nuk do të ishte Meta, kush mund të thotë se nga këto zemra do të rrihnin për Ramën apo për Gjinushin? Sepse edhe brenda këtij elektorati, përveç atij që kokëfortësisht vështron majtas, është edhe një shtresë gri, e lëkundshme, e papërcaktuar që voton sipas ekonomisë së tij të vogël. Nëse gjendja e tij ekonomike është bërë më e mirë, ai priret t’i besojë qeverisë aktuale. Dhe midis këtij elektorati ka sigurisht mësues, infermierë, pensionistë e të tjerë që marrin si pikë referimi këtë tregues, para se t’i lërë pa gjumë Fazlliçi apo dhëndëri i Berishës, “skandale” që sipas hetimeve, duket se mbeten fjalë në erë. Ky është një shesh në shkallaret e murit-moral.
Por edhe pa të, kur është në lojë e ardhmja, kriza botërore, ëndrra integruese, dhe gjendja duket e brishtë dhe inkandeshente, siç ndodhi pas këtyre zgjedhjeve, besnikëria e verbër ndaj përcaktimit e djathtë-e majtë që, siç thotë Lubonja tek ne është lesheli, më shumë llafollogjike sesa programore, shtyhet në kulisa dhe është më e moralshme ta rrëzosh murin me rregull sesa ta lësh të të zërë nën vete. Aleancat e djathtë-e majtë (progresiste e të moderuara), nuk janë ndonjë shpikje shqiptare që do të lërë gojëhapur botën demokratike. E pohon vetë historiani P.Xhufi në “Panorama” 08.07.2009, kur thotë se ka qenë shumë kohë jashtë shtetit dhe i njeh bashkëjetesa të tilla. Shembulli më domethënës mbetet ai i Austrisë në vitet ’60, kur përplasja midis dy krahëve mori përmasa aq të rrezikshme sa mund ta çonin në një përplasje edhe qytetare. Duke lënë në opozitë të dy ekstremet e majta e të djathta, Partia Popullore dhe ajo Socialdemokrate, bënë një marrëveshje bashkëqeverisjeje që vazhdoi mbi 20 vjet. Për çudi, një marrëveshje të ngjashme tek ne, historiani e quan të parakohshme dhe propozon vetëm një mbështetje pa pjesëmarrje në qeveri, gjë që do të ishte goxha hileqare, nëmos një minë me sahat. Kurse Meta, duke e matur mirë hapin që po hedh, me ndjenjë të fortë qytetarie, ka guximin të marrë mbi shpinë edhe përgjegjësitë që sjell pushteti. Kjo tregon besim tek vetja, tek strukturat e partisë së tij dhe tek ata që do të përzgjidhen në postet që do të vendosen me PD.
Nga një optikë tjetër, vendimi i tij është gjithashtu largpamës dhe pragmatist. Asnjë parti e vogël nuk ka gjasa të rritet kur është në opozitë, le më jashtë përfaqësimit në Kuvend. Por edhe brenda tij, ajo s’mund të dalë dot në pararojë të kontrollit mbi qeverisjen, veç nëmos qoftë opozita e madhe aq e flashkët sa të bjerë në vanitet. Por s’ka asnjë gjasë që PS të bjerë në këtë pozitë. Sepse vetëm një opozitë e mençur dhe aktive, mund ta rifitojë serish besimin e munguar. Do s’do, zëri i një partie të vogël do të meket, do të mbajë iso ose do të bëjë gërrmërre. Por siç u provua edhe nga fati i aleateve të vegjël të PS, ylli i grindavecëve ka perënduar. Kurse nja parti e vogël në pushtet, aq më shumë me numra të artë, ka ku e ku më shumë shanse të rritet, të forcojë bazën e saj, të japë prova moderniteti në bashkëpunim dhe t’i gjykojë gjërat me realisht, pa mohimet absurde që u panë edhe gjatë kësaj fushate, kur një spot i PS-së rrekej të na bindte se fëmijët me të tukequr e më të pocaqisur në vend na qenkan ata të Korçës, ku s’qenka ndërtuar asnjë shkollë e re! Pikërisht të Korçës që ka një nga popullsitë më punëtore e më nikoqire në vend! Ç’mendonin vallë banorët e fshatrave ku fëmijët e tyre shkonin në shkolla të reja apo të rindërtuara me standarde të larta? Mohimi kategorik i asaj që është në sy të të gjithëve, i rrugëve, institucioneve shëndetësore e arsimore, pagave, me gjithë problemet që mbeten, është njëfarësoj harakiri propagandistik. Kurse Meta në një emision televiziv gjatë fushatës, pati së paku intuitën të thoshte se kjo qeveri i ka bërë edhe ca punë të mira. Kur shpalos një program, nuk është gjë e mençur ta mbulosh diellin me shoshë, mjafton t’i bindësh njerëzit se dielli yt do t’i ngrohë më shumë. Pikërisht kjo i mungoi PS-së, që duke mbetur në terma të përgjithshme si politikë e re, qeverisje e qytetarëve për qytetarët, përtej së majtës e së djathtës, rezultoi të ish jo dhe aq e përgjithshme për atë njeriun e thjeshtë, të vogël për gjykimin e intelektualëve të rafinuar, por të madh në peshën e votës. Tani, Goliathit të mundur nuk i mbetet gjë tjetër veç të ngushëllohet me faktin se mos kalorësit David, do t’i varen këmbët ngase kali ku hipi, nuk i shkon staturës së tij!