Hastings: Zgjedhjet, të qeta
Kongresmeni amerikan Alcee Hastings, i cili ka ndjekur nga afër zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë, thekson faktin se ato u zhvilluan në një klimë të qetë, por shton se në ditën e votimit u vunë re probleme teknike si boja apo votimi familjar. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hastings ka deklaruar se ka vizituar personalisht qendrat zgjedhore në Tirane dhe nuk ka vërejtur asnjë incident të rëndë. “Vendi ka bërë një hap përpara. Mendoj se zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe me rregull, por pati disa probleme teknike si boja, mungesa e fletëve të votimit dhe votimi familjar që nuk është ndonjë gjë e madhe. Vizitova vetë 11 qendra votimi dhe nuk vura re asnjë incident”, ka pohuar Hastings. Ai ka shtuar më tej se zgjatja e kohës për nxjerrjen e rezultatit nuk është ndonjë problem i madh, por ka nënvizuar se, e rëndësishme është që procesi ka qenë transparent.