E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dje ne Tirane - Nano-Meta, 9 orë takim kokë më kokë

 

Adi Shkembi

Gjashtë ditë pas marrëveshjes në parim mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të qeverisur së bashku në katër vitet e ardhshme, Ilir Meta takohet për më shumë se nëntë orë me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. Ky është takimi i dytë në dy javët e fundit mes dy ish kryeministrave socialistë, pas takimit në Hotel “Tirana” pak ditë para zgjedhjeve, në një tentativë për të bashkuar të majtën.
Takimi
Mesditën e djeshme rreth orës 15:30 minuta, ish-kryeministri i Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u takuan në një nga lokalet e kryeqytetit, pranë Ministrisë së Arsimit. Për më shumë se nëntë orë, dy liderët e të majtës mendohet të kenë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, zgjedhjet e 28 qershorit, pranimin e ftesës nga ana e Metës për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike në katër vitet e ardhshme, por edhe për të ardhmen e Partisë Socialiste, pas humbjes në këto zgjedhje. Takimi i cili ka zgjatur deri në mesnatë dhe pa praninë e mediave, duket se ka detyruar badigardët t’i drejtohen disa herë dyqaneve pranë për të blerë cigare, të cilat janë konsumuar gjatë takimit mes Nanos e Metës. Gazeta nuk ka mundur të konfirmojë nëse pjesë e kësaj tryeze kanë qenë edhe personalitete të majta, por ajo që është e konfirmuar tashmë është fakti, Meta e Nano kanë qëndruar orë të gjata së bashku. Ky takim disa orësh mes tyre vjen në fakt edhe një ditë pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, se Nano nuk është i projektuar në koalicionin PD-LSI për katër vitet e ardhshme, vite në të cilat do të zgjidhet edhe Presidenti i ri. “Zoti Nano nuk është i projektuar në këtë koalicion. PS-ja nuk është e projektuar. PS-ja është e ftuar të bashkëpunojë”, u shpreh Kryeministri Berisha dy netë më parë në emisionin “Opinion”.
Situata politike
Ky takim i dy ish kryeministrave Ilir Meta e Fatos Nano vjen në një moment të nxehtë politik, kur pas përfundimit të zgjedhjeve ende nuk është shpallur rezultati përfundimtar për shkak të debateve të shumta në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i LSI-së dhe ish kreu i PS-së u takuan edhe në praninë e kreut të PSV 91, Petro Koçi, gjashtë ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit në një përpjekje të fundit për të bashkuar të majtën dhe për të larguar nga pushteti Kryeministrin Berisha. Por ftesës së Metës iu përgjigj negativisht kreu i PS-së, Edi Rama, si dhe krerët e partive të vogla që ishin në krah të PS-së në këto zgjedhje. “Unë besoj se nëse je politikan i përgjegjshëm, nuk mund t’i përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca Obama-Hillari Klinton, por megjithatë Obama dhe Hillari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë mesa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën”, u shpreh Nano në përfundim të atij takimi. Por pas zgjedhjeve të së dielës së fundit të qershorit, LSI-ja iu përgjigj pozitivisht ftesës publike të Kryeministrit Sali Berisha, për të bashkëqeverisur katër vitet e ardhshme. “E pranoj ftesën e kryetarit të koalicionit fitues, z.Berisha, për të filluar negociatat paraprake dhe për të realizuar me transparencë të plotë programin e Qeverisë së integrimit evropian”, u shpreh ish-kryeministri Meta, pak orë pasi Berisha i bëri ftesën publike për të bashkëqeverisur. Kjo lëvizje, e nxitur edhe nga mandatet e fituara në Parlament nga PD e LSI, ka krijuar lëvizje të reja brenda së majtës, pjesë e të cilave tashmë është bërë edhe ish kryetari i PS-së, Fatos Nano, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pasi humbi katër vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›