Nëntë premtimet e bujshme të pambajtura nga kryeministri Berisha
Eljona Ballhysa
Ndërsa kanë kaluar tre vite nga qeverisja e demokratëve ende nuk janë zbatuar disa nga premtimet e kryeministrit Berisha gjatë fushatës së vitit 2005. Këto premtime janë pjesë e rëndësishme e programit qeverisës të botuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave në internet. Me një shikim të shpejtë vëren se reformat më të rëndësishme, si ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë ende të papërfunduara. Po kështu, prioriteti i qeverisë, lufta kundër korrupsionit paraqitet e dështuar. Një sërë premtimesh të tjera që lidhen me lehtësirat që do i krijohen biznesit, apo me pavarësinë e garantuar të institucioneve kushtetuese, duken ende larg zbatimit.
Reforma zgjedhore
Që në vitin 2005 Berisha u premtoi qytetarëve ndërmarjen e reformës zgjedhore e cila do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, aktualisht, kur Berisha ka mbushur plot tre vite në postin e kryeministrit, reforma zgjedhore mbetet ende një pikë në axhendën e punimeve të Kuvendit, ndërkohë që zgjedhjet parlamentare janë në prag. Në programin e qeverisë së PD-së parashikohet se “krahas lirise dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, reforma zgjedhore do të mundësojë të drejtën e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, për të marrë pjesë në zgjedhje”. Deri tani, PD-ja apo qeveria nuk kanë asnjë projekt për garantimin e votës së emigrantëve shqiptarë kudo që ndodhen. Po kështu, demokratët kanë parashikuar në programin qeverisës transparencën e financimeve të partive dhe kandidatëve në zgjedhje, por ligji për financimin e partive politike mbetet ende një projekt në letër. Në programin e qeverisë të paraqitur në Kuvend në datën 08.09.2005 maxhoranca dhe qeveria garantojnë se “zgjedhjet në Shqipëri, duke filluar nga ato vendore të vitit 2006 do të jenë në përputhje të plotë me standardet europiane e ndërkombëtare që përcaktojnë karakterin e lirë e të ndershëm të tyre”. Por shumë kush e mban mend raportin e monitoruesve ndërkombëtar për ecurinë e procesit zgjedhor në vitin 2006, të cilat u cilësuan pjesërisht në përputhje me standardet evropiane. Raporti kritikoi klimën polarizuese politike në vend dhe vonesat në përgatitjen e procesit zgjedhor.
Reforma në drejtësi
Në programin qeverisës maxhoranca angazhohet që “të zbatojnë në gjerësi dhe thellësi reformat e sistemit të drejtësisë, të sugjeruara e të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë dhe në bashkëpunim e sipas roleve përkatëse kushtetuese me Presidentin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe institucionet e tjera që përfshihen në çështjet e reformave dhe performancës së sistemit të drejtësisë”. Aktualisht Partia Demokratike në bashkëpunim me opozitën ka miratuar në Kuvend vetëm ligjin për gjyqësorin, ndërkohë që mbetet ende e parealizuar plotësisht reforma në sistemin e drejtësisë. Kohët e fundit burimet bëjnë të ditur për ekzistencën e një projektligji për prokurorinë e përgjithshme, i cili po kontestohet fuqishëm nga grupet e interesit.
Lufta kundër korrupsionit
Partia Demokratike shpalli si slogan të fushatës zgjedhore 2005 luftën kundër korrupsionit ose ndryshe qeverisje “me duar të pastra”. Duke përmenduar në këtë aspekt vetëm tragjedinë e Gërdecit, e cila nxori në pah një mekanizëm shtetëror të korrupsionit, duket qartë se ky angazhim i demokratëve rezulton i dështuar. Po këtu mund të përmendim dhe akuzat ende të pavërtetuara të opozitës për korrupsion në tenderin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, të cilat ulin imazhin e qeverisë. Përsa i përket qeverisjes “me duar të pastra”, arrestimi i zëvendës ministrit të transporteve për korrupsion flet për një tjetër aferë korruptive të përfaqësuesve të qeverisë.
Biznesi
Kreu i demokratëve e nisi fushatën e vitit 2005 me shumë premtime për grupet e biznesit. Kështu Berisha premtoi ulje taksash dhe lehtësim procedurash për biznesin. Në programin e qeverisë është parashikuar që “do të aplikohet përjashtimi nga tatim-fitimi për një periudhë 1-3 vjeçare për bizneset e reja me kusht që të rrisin punësimin”. Po ky angazhim i qeverisë nuk është bërë ende realitet.
Institucionet e pavarura
Një tjetër premtim i kryeministrit Berisha ishte dhe “respektimi dhe garantimi i pavarësisë së pushteteve”. Por gjatë tre viteve ka pasur jo rallë herë përplasje midis qeverisë dhe institucioneve kushtetuese veçanërisht me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Presidentin e Republikës. Që në fillim të mandatit qeveria dhe Berisha ndoqën një politikë të ashpër kundër ish kryeprokuroit Sollaku dhe ish presidentit Moisiu. Por dhe me largimin e këtyre figurave, përplasjet e maxhorancës vazhduan me pasardhësit e tyre të cilët i zgjodhën vetë, si me kryeprokuroren Ina Rama, ashtu dhe me Presidentin Bamir Topi.
• Ende e papërfunduar reforma zgjedhore
• Nuk është miratuar ligji për transparencën e burimeve financiare të partive politijke
• Nuk është miratuar ligji për garantimin e të drejtës së votës së emigrantëve
• Nuk u mbajt premtimi për zgjedhjet vendore tyë 2006 që do të realizohesh sipas strandardeve evropiane
• Ende e papërfunduar reforma në drejtësi
• Palët kanë miratuar një ligj për gjyqësorin por ende nuk kanë vendosur për prokurorinë e përgjithshme, për KLD-në, për sistemin e noterisë
• Tragjedia e Gërdecit flet për dështimin e luftës kundër korrupsionit
• Pavarësia e institucioneve kushtetuese nuk është garantuar
• Qeveria e maxhoraca jo rallë herë janë përplasur me Prokurorinë e Përgjithshme, me KLD-në, me Presidentin e Republikës
4 Gusht 2008