E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e hipotekës, pengesa kryesore për afrimin e të huajve



Mungesa e titujve të pronësisë apo e një dokumenti hipotekor që vërteton pronësinë mbi objektin apo truallin, duket se është arsyeja më e fortë që i mban larg dhe i bën shumë skeptikë të huajt, që e kanë ende të vështirë të veprojnë me rregullat “shqiptare”. Sipas ndërtuesve, shitja e apartamenteve ka qenë shumë e vështirë, ndërkohë që një numër tepër i madh nuk disponojnë dokumentin e hipotekës. Bashkimi Europian e ka kritikuar ngadalësimin e hapave ligjorë që mundësojnë hyrjen e lirë të kapitalit të huaj në Shqipëri nëpërmjet blerjes së pasurive të paluajtshme. Kjo përbën edhe një nga kushtet kryesore të rritjes së investimeve të huaja në vend. Komisioni Europian e ka kritikuar vendin tonë për bllokimin e reformave të blerjes së pronave të paluajtshme nga të huajt. Sipas KE-së, Shqipëria ka një detyrim shumë thelbësor për të përafruar legjislacionin në fushën e pasurive të paluajtshme, me qëllim ofrimin e së drejtës për të blerë pasuri të paluajtshme në Shqipëri për shtetasit e shteteve anëtare të BE-së, duke iu siguruar atyre një trajtim jo më pak të favorshëm se ai i ofruar shtetasve shqiptarë në ushtrimin e kësaj të drejte.

Të huajt, publicitet dhe interes në rritje për Shqipërinë

Agjencia britanike “Easier Property” e cilëson Shqipërinë një potencial për pasuritë e paluajtshme. “Me të njëjtin bregdet të mrekullueshëm si Mali i Zi dhe Kroacia dhe me një distancë prej 60 miljesh larg nga bregdeti italian, Shqipëria është anashkaluar nga investitorët duke u eklipsuar nga komshinjtë e saj. Tani, me një Shqipëri në axhendën e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, me qindra miliona euro të investuara nga BE dhe me çmime shumë të ulëta të pronave, potenciali i këtij vendi nuk është më një sekret”, - thuhej në vlerësimin që kjo agjenci prestigjioze i bënte tregut shqiptar të pronave. “Barrasford&Bird”, një agjenci me qendër në Devon, udhëhoqi revolucionin në tregun e pronave në Bullgari më pak se tre vite më parë. Ata tashmë janë dhe agjentët e parë ndërkombëtarë të pronave që po njohin potencialin e madh të këtij tregu. Robin Barrasford, drejtor i Përgjithshëm i “Barrasford&Bird”, thote se “Shqipëria është një mundësi e jashtëzakonshme dhe unë mendoj se është një treg pronash i pakonkurrueshëm sot për sot. Ju them se nga eksperienca jonë besojmë se Shqipëria do të shohë investime shumë të mëdha gjatë viteve në vijim. Aq të mahnitur jemi nga ky treg i ri, sa në mënyrë konfidenciale ju themi se investitorët e parë do të arrijnë të bëjnë paratë e tyre në tre vite”.

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›