Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Dhërmiu dhe Himara, të preferuarat e të huajve
Jugu është gjithnjë e më shumë “nën presionin” e të huajve që kërkojnë të investojnë në ngritjen e komplekseve apo fshatrave turistike aty. Çmimet e tokës në Himarë dhe Dhërmi janë 100-200 euro/m2 më të larta në të gjithë bregdetin shqiptar. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare në vend, rusët janë duke blerë troje dhe po interesohen gjithnjë e më shumë për bregdetin e Shëngjinit, kjo duke qenë se janë afër gjeografikisht me Malin e Zi (bastion i tyre në rajon). Shëngjini sot ka luksin të joshë një nga grupet më potenciale të investitorëve, rusët, të cilët e shndërruan Budvan, Ulqinin e Podgoricën dhe të gjithë bregdetin malazez ndër vendet më të shtrenjta në Ballkan. E vetmja zonë në rrethin e Durrësit në të cilën po vërshojnë të huajt është Gjiri i Lalzit, që është një bregdet thuajse i paprekur, ku çmimet e truallit kanë arritur deri në 200 euro/m2. Më së shumti investitorët e huaj po blejnë troje, ndërsa nuk mungojnë të tjerë që kanë blerë apartamente në bregdetin e Jugut. Sipas agjentëve imobiliarë, aksi bregdetar nga Dhërmiu deri në Sarandë ka një interes shumë të madh aktualisht nga të huajt. Projektet më serioze dhe shumë luksoze deri në ndërtimin e një porti privat jahtesh janë pikërisht nga Dhërmiu deri në Sarandë. Por nuk janë të paktë edhe të huajt, kryesisht nga Europa Perëndimore, që kanë blerë tashmë një apartament në Vlorë apo Sarandë. Në fakt, qëllimi për shumë investitorë të mëdhenj, që kanë nisur ta vizitojnë Shqipërinë dy vitet e fundit, është që të blejnë sa më shumë tokë në bregdet, të bashkohen dhe të ndërtojnë zona rezidenciale. Kjo do t’i lejonte të huajve vizitorë në përgjithësi që të shijonin vendin pa vënë re realitetet e tjera negative (shembulli i Sharm El Sheik në Egjipt).
4 Gusht 2008