Kryeministri: “Nuk kam ndërmend të kërkoj largimin e OSBE-së”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Vlora, se ai dhe qeveria e tij nuk kanë kërkuar dhe nuk do të kërkojnë largimin e prezencës së OSBE-së nga Shqipëria. Berisha, më tej, theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 do të monitorohen, jo vetëm nga OSBE-ja, por me ftesë të qeverisë shqiptare dhe nga organizma të tjera monitoruese ndërkombëtare. “Dëshiroj të falënderoj zotin Edvin Rama dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar se fushatën e ardhshme elektorale qeveria do t’i kërkojë OSBE-së të dyfishojë monitorimin, do të ftojë Këshillin e Europës, Parlamentin Europian, organizatat dhe Institutin Demokratik dhe Republikan Amerikan, do të ftojë të gjitha NGO-të dhe organizmat e institucionet që monirotojnë zgjedhjet”, është shprehur Berisha.
Sulmi
Berisha i cilësoi trillime mediatike që dalin nga zyra e Edi Ramës, zërat për një kërkesë të mundshme të qeverisë për largimin e OSBE-së. Gjatë prooncimit të tij për mediat, Berisha gjeti rastin për të sulmuar kreu e PS-së, duke iu referuar dhe humbjes në zgjedhjet lokale në Kashar. “Unë, Edi Ramën nga “rustem muratët” ,nuk e shpëtoj dot, sepse tashmë ai e ka gjetur zgjidhjen kur i cilëson banorë kandidatët për të qetësuar partinë e tij. Edhe Rustem Murati është një banor që e çoi në vend të katërt. Po dolën të tjerë “rustem muratër” ne nuk kemi çfarë t’ju bëjmë. Ndaj dhe unë nuk e shpëtoj dot Edi Ramën nga sindromi i Kasharit”, është shprehur Berisha. Po në këtë kuadër Berisha e cilësoi trillim dhe akuzat e opozitës për dominimin nga qeveria të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe shqetësimin e shprehur nga diplomatë amerikanë.
I pyetur nga gazetarët për shqetësimin e ambasadës amerikane për një ligj të ri të hartuar nga qeveria për prokurorinë, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim të tillë nga diplomacia e huaj në Tiranë. “Për atë draft ka 6 muaj që po punohet me përfaqësues të shoqërisë civile, EURALIUS dhe të tjerë që po bashkëpunojnë. Qeveria do të punojë që këto ligje të jenë të përbashkëta me opozitën. Pavarësisht se 84 vota në parlament mund të realizohen, unë arsyetoj që duhet të ecim me konsensus me opozitën”, është shprehur Berisha. Ai theksoi se kundërshtimet për këtë ligj dalin nga Edi Rama, i cili, sipas Berishës, “pas Kasharit e ka humbur fare”.
Bashkëpunimi
Berisha hodhi poshtë ekzistencën e një marrëveshje për bashkëpunim mes tij dhe kreut të PS-së, Rama. Ai tha se bashkëpunon me Ramën si kryetar bashkie ashtu sikurse bashkëpunon me çdo kryetar tjetër bashkie. Berisha bëri të ditur se me opozitën bashkëpunon dhe do të bashkëpunojë për realizimin e reformave të rëndësishme për vendin. “Me zotin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe me zotin Shpëtim Gjika kryetarin e Bashkisë së Vlorës dhe të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave të Shqipërisë kam patur kam dhe do të kem për aq kohë sa të jem në pushtet, një bashkëpunim në interes të qytetarëve dhe tërësisht transparent. Së dyti për çështjet madhore të integrimit në NATO dhe në BE, zoti Rama dhe partia e tij kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin për të proceduar me reforma dhe unë kam vlerësimin tim të palëkundur për këtë”, është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se së shpejti në bashkëpunim me opozitën do të miratohet Kodi i ri Zgjedhor si dhe ligjet për sistemin e drejtësisë.
4 Gusht 2008