INSTAT: “Shqipëria, me humbje nga tregtia me fqinjët”
“Shqipëria po del e humbur nga tregtia me fqinjët dhe vendet e Bashkimit Europian”. Kjo deklaratë vjen nga Instituti i Statistikave, i cili ka njoftuar se deficiti tregtar ka vazhduar të thellohet duke kapur në fund të qershorit 2008 nivelin alarmant të 24.9 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky tregues është rritur me 15.9 për qind. Thellimi i deficitit tregtar ka ardhur si pasojë e rritjes më të ndjeshme të importeve kundrejt eksporteve. Nga të dhënat e INSTAT-it rezulton se në qershor, eksportet arritën vlerën e 11.4 miliardë lekëve, ndërkohë që importet u llogaritën në 36.3 miliardë lekë. Thellimi i ndjeshëm i deficitit tregtar tregon për nivelin e ulët të prodhimit dhe për konkurrencën e paktë që iu bëhet mallrave të importit. Aktualisht, pothuajse gjithçka që ne konsumojmë, duke filluar nga ushqimet e deri tek lënda e parë për industrinë sigurohet nga jashtë. Ndërkohë që eksportojmë vetëm një gamë të vogël produktesh, kryesisht minerale dhe mallra me fason (veshje). Rritja e deficitit tregtar është gjithashtu, tregues se Shqipëria po del me humbje nga tregtia me vendet partnere, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të integrimit në fushën e ekonomisë. Aktualisht, vendi ynë është pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s, që parashikon reduktim të ndjeshëm të tarifave doganore me vendet e rajonit. Në fuqi që prej 1 dhjetorit të vitit 2006 është edhe pjesa ekonomike e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila parashikon ulje të barrierave doganore me vendet e BE-së.
4 Gusht 2008