Nëntori i dytë në Torino
Të Premten u shfaq në Torino filmi shqiptar “Nëntori i dytë”. Shfaqja u parapri nga një takim me prof. Guido Franzinetin, historian, pedagog i Universitetit të Piemontit dhe gazetarin Benko Gjata, kushtuar kontekstit historik të shpalljes së pavarësisë. Takimi u ndoq nga spektatorë të shumtë, shqiptarë dhe italianë, të interesuar të njiheshin nga afër me historinë e shpalljes së pavarësisë dhe ngjarjet që çuan në lindjen e shtetit shqiptar. Ndër të pranishmit ra në sy edhe pjesëmarrja e dendur e të rinjve shqiptarë, fëmijë të emigrantëve të vendosur në Torino gjatë këtyre njëzet viteve të fundit, për të cilët filmi dhe tematika e trajtuar përbënin një risi.
Prezantimi i filmit u organizua nga Qendra e Kulturës Shqiptare, në kuadër të veprimtarive kushtuar Njëqindvjetorit të Pavarësisë. Në ditët në vijim filmi do të prezantohet edhe në Milano, ndërsa në Torino dita e pavarësisë do të festohet në një mbrëmje të madhe gala me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë të muzikës klasike dhe të shumë përfaqësuesve të lartë të institucioneve italiane.
Prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1982, filmi “Nëntori i dytë” është restauruar së fundmi tërësisht në kuadër të projektit Albanian Cinema Project, i mbështetur nga Ministria shqiptare e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Shtetëror i Filmit dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Shfaqja e Torinos shënoi edhe paraqitjen e parë të filmit jashtë kufijve të Shqipërisë.