E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë variante

Aleatët qeveritarë në diskutime mbi koalicionet dhe listat parazgjedhore

Përfundimi i punës për Kodin e ri Zgjedhor do të sjellë edhe nisjen e diskutimeve për krijimin e koalicioneve të ardhshme zgjedhore. Partitë e mazhorancës aktuale duket se nuk janë të gjitha në një qëndrim të përbashkët për sa i përket mënyrës së krijimit të koalicionit. Një ndër partitë e koalicionit aktual të djathtë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) e Vangjel Dules, sikurse ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme, nuk bën koalicione parazgjedhore edhe për vetë natyrën e kësaj partie. Ndërsa partia tjetër, ajo Demokrate Reformatore e Genc Pollos, po mendon që deri në zgjedhjet e ardhshme të shkrihet me Partinë Demokratike, duke dalë në zgjedhje si një parti e vetme. Ndërkohë, dy aleatët kryesorë të PD-së, demokristianët dhe republikanët, duket se janë para dy zgjidhjeve të mundshme: atë të daljes në zgjedhje me PD-në, ose krijimin e një poli të dytë brenda së djathtës. Kjo do të varet nga ecuria e marrëdhënieve me Partisë Demokratike, sidomos tashmë që kanë nisur diskutimet për ndryshimet në qeveri. Republikanët deri tashmë, edhe pse deklarojnë se koalicioni po funksion mirë, sërish kanë kundërshtuar mënyrën e diskutimeve për reformën zgjedhore. Edhe aleati tjetër, PDK-ja, vazhdimisht ka pasur probleme në koalicion, ku ka deklaruar se Partia Demokratike nuk e ka respektuar marrëveshjen me të. Edhe ata kanë shprehur rezerva për mënyrën sesi do të bëhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Opsionet më të diskutuara mes Partisë Demokratike dhe partive të vogla të kampit të djathtë janë ai për krijimin e një koalicion të përbashkët dhe dalja si një grupim i vetëm në zgjedhje, dhe ai i daljes në zgjedhje si koalicion, ku PD-ja votohet veçmas dhe aleatët si grupim. Në opsionin e parë, partia aleate që merr më shumë vota ndihmohet nga votat e mbetura të PD-së dhe nga votat e aleatëve të tjerë dhe nxjerr deputetin e saj. Ky opsion është diskutuar mes partive para se të votoheshin ndryshimet kushtetuese dhe nuk përjashtohet, të paktën nga partitë e vogla. Ndërsa opsioni tjetër që është propozuar në Partinë Demokratike, është dalja e PD-së në koalicion me aleatët, ku PD-ja do të votohet veçmas, ndërsa aleatët do të votohen si grupim. Një mundësi tjetër që po diskutohet brenda partive të djathta është edhe ideja e krijimit të një poli të dytë politik brenda së djathtës, në rast se marrëveshja me Partinë Demokratike nuk realizohet ashtu sikurse kanë interes ato. Megjithatë, diskutimet dhe debatet për mënyrën e koalicionit varen nga rezultati që do të dalë nga puna e komisionit për Kodin e ri Zgjedhor. 

Koalicioni i përbashkët PD+aleatë

Dalja në koalicion të përbashkët mes të gjitha partive të djathta. Secila prej partive të djathta del në zgjedhje me listat e saj të veçanta për secilin rajon. Me këtë skemë, partitë e vogla dalin më të fituara. Aleati që merr më shumë vota në një rajon, “ndihmohet” nga votat e aleatëve të tjerë që kanë marrë më pak vota, por edhe nga mbetjet dhjetore të votave të Partisë Demokratike dhe nxjerrin deputetët e tyre. Kjo do të thoshte që partitë e vogla do të mund të ndihmonin njëra-tjetrën për t’u futur në Kuvend. Ky është një nga variantet që ka më shumë shanse që të realizohet.

PD veç në zgjedhje, aleatët grup

Partia Demokratike mund të dalë në zgjedhje e vetme, ndërsa partitë aleate si një grupim i vetëm. PD-ja votohet veçmas, ndërsa aleatët në grupim, edhe pse janë një koalicion. Partia Demokratike del me lista të veçanta, ndërsa aleatët me lista të përbashkëta për secilin rajon. Kjo mënyrë koalicioni është kundërshtuar nga partitë e vogla, të cilat kanë deklaruar se dalin të vetme në zgjedhje, në rast se PD-ja nuk votohet bashkë me to. Megjithatë, mazhoranca nuk e përjashton si mundësi.

Lista të veçanta PD dhe aleatët

Partia Demokratike mund të dalë në zgjedhje e vetme, ndërsa partitë aleate si një grupim i vetëm. Partia Demokratike del me lista të veçanta dhe të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe partitë e tjera, të cilat mund të dalin si një grupim, por secila me lista të veçanta.

Favorizimi për partitë e vogla

Partia Demokratike del në zgjedhje bashkë me aleatët.  PD-ja dhe partitë e tjera dalin me lista të përbashkëta. Kjo do të favorizonte kryesisht krerët e partive të vogla, të cilët do të garantonin qenien e tyre në Kuvend edhe pas zgjedhjeve të vitit 2009. Megjithatë, kjo nuk u intereson edhe aq shumë deputetëve aktualë, të cilët rrezikojnë të mos kenë një mandat tjetër.

Grupim i veçantë mes aleatëve

Në rast se kërkesat e aleatëve nuk merren parasysh, partitë e djathta kanë planifikuar krijimin e një poli të dytë brenda së djathtës. Krijimi i këtij poli do të sillte daljen e PD-së me lista të veçanta, ndërsa partitë e djathta të bashkuara do të zgjidhnin nëse do të dilnin me lista të veçanta apo të përbashkëta.

Korrektimi i sistemit

Një ndër idetë e hedhura fillimisht nga kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka qenë ajo e korrektimit “kombëtar” te sistemi proporcional rajonal. Ky korrektim do t’u mundësonte partive të vogla mbledhjen e të gjitha votave në rang kombëtar dhe kthimin e tyre në mandate Kuvendare. Në kampin e djathtë, aleatët, me përjashtim të PR-së, e shohin pozitivisht. Ndërsa Partia Republikane e sheh këtë mundësi si të parealizueshme. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›