Buxhet joserioz, mazhoranca shton taksat

Valentina Leskaj, numri një i socialistëve në Kuvend, shprehu dje kërkesën e partisë më të madhe opozitare për t’i lënë më shumë hapësirë shqyrtimit. “Ne kemi kërkuar edhe në Konferencën e Kryetarëve, ku kam insistuar që buxheti suplementar të marrë më shumë kohë në parlament. I është lënë vetëm një javë kohë, që do të thotë se si sot një javë, duhet të diskutohet në parim buxheti suplementar, duke mos u lënë kohën e mjaftueshme komisioneve, ekspertëve dhe aktorëve të tjerë, të cilët kanë nevojë të konsultohen dhe të japin mendimin apo kontributin e tyre lidhur me këtë buxhet”, - deklaroi ajo pas mbledhjes së grupit. Leskaj kundërshtoi në emër të grupit parlamentar të PS-së edhe taksën vendore. Sipas saj, projekti i paraqitur nga PD-ja nuk është serioz dhe nuk i shërben qoftë pushtetit vendor, apo përmirësimit të cilësisë së jetës së njerëzve. Për socialistët, ky projekt tregon se mazhoranca po përpiqet që të shtojë taksa. Ndërkohë, kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj, ka reaguar edhe në seancën parlamentare të pasdites së djeshme, ku ka kërkuar që të lihet më shumë kohë për të diskutuar për buxhetin suplementar. Ajo tha se deputetët nuk janë njohur akoma me buxhetin suplementar të qeverisë, pasi vetëm pasditen e djeshme ai ishte shpërndarë në parlament. “Buxheti është shpërndarë vetëm sot (dje) pasdite dhe komisionet ende nuk kanë arritur që ta marrin atë. Pra, duket që një javë kohë është e papërshtatshme dhe nuk mjafton as për ta diskutuar, as për të pasur një diskutim serioz, as për t’u konsultuar për sa i përket buxhetit. Do t’iu kërkoja edhe një herë, që të rishikohet kalendari për sa i përket buxhetit suplementar, që të mos jetë ditën e hënë”, tha Leskaj. Gjatë fjalës së saj në parlament, Leskaj kërkoi gjithashtu, që të përfshihet në kalendarin e ri edhe nisma e deputetëve për çështjen e minatorëve, që në kalendarin e vjetër ishte parashikuar. “Çështja e dytë që lidhet me kalendarin, ka të bëjë me nismën e disa deputetëve për çështjen e minatorëve. Ajo ka qenë në kalendarin e datës së sotme (djeshme), por që çuditërisht u zhduk dhe nuk figuron në kalendarin e ri. E kam kërkuar edhe në Konferencën e Kryetarëve dhe vazhdoj të insistoj që kjo të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit”, tha Leskaj në parlament. Ndërkohë, ajo kërkoi që t’u jepet edhe më shumë kohë diskutimeve për dy marrëveshjet që ishin paraqitur mbrëmë nga mazhoranca për votim, ajo “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e rrugëve dytësore dhe vendore” dhe ajo “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë së brendshme”. Leskaj tha se të dyja marrëveshjet kishin vetëm tri ditë që ishin paraqitur në parlament dhe votimi i tyre ishte një shkelje e hapur e Rregullores Parlamentare. “Të dyja marrëveshjet kanë vetëm tri ditë që kanë ardhur në parlament: ditën e premte pasdite, sot (dje) kanë kaluar në komision dhe pasdite i kemi në seancë. Kjo jo vetëm që është në kundërshtim të hapur me rregulloren, por deputetët nuk kanë pasur mundësi që të marrin përgjigje për informacionin dhe sqarimet që kanë kërkuar për këto dy marrëveshje”, tha kryetarja Leskaj, ndërsa kërkoi që votimi për këto marrëveshje të shtyhej për në seancën e ditës së enjte, në mënyrë që deputetët të mund të merrnin përgjigje për kërkesat e tyre. Sakaq, lidhur me projektligjin e pastërtisë së figurave, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së nënvizoi se pavarësisht nxitimit të mazhorancës, projektligji duhet të përmbushë të gjithë kriteret. “Ne kemi një qëndrim të qartë, që çdo projektligj që lidhet me pastërtinë e figurave, duhet të jetë brenda standardeve të instrumenteve ndërkombëtarë. Do të thotë konventave që ka ratifikuar parlamenti, të cilat janë detyruese për zbatim, qëndrimit të Këshillit të Evropës dhe rregullores së parlamentit. Ende nuk kemi një projekt në dorë apo një propozim konkret nga PD-ja, për arsye se ai projekt që ka qenë për një vit, ashtu si edhe projekti i paraqitur nga PS-ja dhe PDK-ja, që janë projekte, në një farë mënyre, sipas rregullores, nuk ekzistojnë më”, - u shpreh Leskaj. Ajo sqaroi se ende nuk është paraqitur një propozim i ri konkret nga PD-ja. Liderja e socialistëve në Kuvend shprehu edhe shqetësimin, se në kalendarin dyjavor, ndërsa futet nxitimthi projektligji i pastërtisë së figurave, nuk ishte konsideruar nisma e PS-së për dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit. Për këtë nismë, PS-ja ka insistuar që të futej në kalendarin dyjavor po ashtu edhe projektligjin për minatorët.