Neranxi, votimi për imunitetin më 23 prill
Më datë 23 prill, Kuvendi do të votojë për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin caktoi datën 24 prill si votimin për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Drejtuesja e këtij Këshilli, Jozefina Topalli tha se, “duhet të shprehet pro heqjes së imunitetit, siç është vepruar edhe me rastet e tjera”. Në mbledhjen e djeshme është paraqitur edhe një material nga ana e deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, në të cilën hidhen poshtë pretendimet e ngritura nga ana e organit të akuzës. “Detyrimet doganore nuk kanë asnjë lidhje me Nikollaq Neranxin, pasi si debitore solidarë në të janë penalizuar vetëm shoqëria N&N, Ilir Tata dhe i ndjeri Mihal Neranxi. Vetë shoqëria N&N është person juridik që nuk ka asnjë lidhje me Nikollaq Neranxin”, thuhet në letrën e paraqitur në këshillin e Rregullores. Të enjten e ardhshme, Këshilli i Rregullores pritet të hartojë raportin në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, për ta paraqitur pas një jave për votim.