Bogdani mbush 32 vjeç, do një gol ndaj Sienës
Jetmir Halilaj
Erjon Bogdani festoi dje 32-vjetorin e lindjes. Ai dëshiron që këtë javë, ndaj ish-skuadrës së tij, Sienës, të shënojë gol dhe të ndihmojë Kievon që të sigurojë tri pikët. Në një intervistë të dhënë për uebfaqen zyrtare të Kievos, bomberi shqiptar tregon objektivat për javët e mbetura.
Humbja ndaj Milanit ju djeg akoma, apo jo?
Të shtunën luajtëm shumë mirë. Dolëm disa herë përballë portës kundërshtare, por për fat të keq nuk u treguam konkretë dhe të saktë. Vrapuam shumë, qarkulluam topin, krijuam mjaft raste për shënim, madje gjuajtëm edhe njëherë shtyllën me anë të Pincit, por fati nuk ishte me ne. E meritonim një barazim, këtë e pohuan edhe lojtarë të Milanit pas ndeshjes.
Këtë javë do të luani kundër Sienës në transfertë, pastaj kundër Udinezes në shtëpi. Dy sfida jo edhe aq të vështira, apo jo?
Jemi vetëm pesë pikë nga zona e ftohtë e tabelës dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet ta shtojmë diferencën e pikëve nga skuadrat e fundit.
U bënë disa ndeshje radhazi që luani si titullar. Ju mungon goli?
Një sulmuesi i mungon gjithnjë goli, por ai nuk duhet të kthehet në një fiksim. Unë dhe shokët e mi të sulmit luajmë për skuadrën dhe përpiqemi që ta ndihmojmë atë edhe në fazën mbrojtëse. Nëse gjërat shkojnë mirë, nuk ka rëndësi se kush shënon.
Pas disa rezultateve të mira, ish-skuadra juaj, Siena, duket se e ka siguruar mbijetesën. A mendoni se nuk do të jetë e motivuar aq sa duhet në këtë takim?
As që bëhet fjalë. Jam i bindur se ata duan ta fitojnë çdo ndeshje, pasi ua njoh mirë mentalitetin: ndeshjet në shtëpi nuk duan t’i gabojnë asnjëherë. Ne në 4 ndeshjet e fundit kemi marrë shtatë pikë dhe kjo tregon se po kalojmë një moment të mirë.
A e mbani mend ndeshjen e shkuar përballë bardhezinjve?
Takimi i parë ndaj Sienës u vendos nga penalltitë. Ne mund të kishim marrë një rezultat të mirë, por ata qenë shumë në formë dhe ditën të godisnin në momentet finale.
A do të kënaqeshit me një barazim?
Kurrë. Ne duhet të luajmë për ta fituar ndeshjen, kjo edhe për faktin se kemi një kalendar të vështirë përpara. Shpresoj të shënoj në këtë sfidë dhe skuadra të marrë maksimumin.
Në pesë ndeshjet e fundit, Kievo është cilësuar si skuadra që luan futbollin më të mirë, ju e besoni këtë?
Po. Në ndeshjet e fundit kemi luajtur vërtetë shumë mirë, madje kemi marrë mjaft komplimente.