E Diel, 1 Nëntor 2026

Neritan Ceka: Një muze arkeologjik për Antigonen antike

SHKRUAN: Bledar Shehu 15-07-2011 11:53

Pika arkeologjike e Antigonesë, Gjirokastër, po tërheq gjithmonë e më shumë jo vetëm interesimin e grupeve turistike por edhe historianëve, arkeologëve, etj. vendas dhe të huaj. Gjatë një vizite në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, arkeologu dhe njëkohësisht këshilltari i kryeministrit Berisha për trashëgiminë kulturore, Neritan Ceka ka pohuar se falë vlerave historike, arkeologjike, natyrore, etj. rrënojat e Antigonesë antike po tërheqin gjithmonë e më shumë vizitorë, duke ndikuar në zhvillimin e një turizmi masiv në këtë zonë. "Ky sit arkeologjik përfshin një sërë vlerash arkeologjike dhe natyrore, të cilat po tërheqin edhe vizitorët e huaj", ka pohuar Ceka. Mes të tjerash, ai ka promovuar edhe idenë e çeljes së një muzeu arkeologjik në këtë zonë. "Gërmimet e bëra gjatë viteve në Antigone, duke përfshirë edhe ekspeditat e fundit arkeologjike, kanë nxjerrë në dritë një sërë zbulimesh interesante, të cilat do të pasqyrohen në një muze arkeologjik, i cili mund të ngrihet edhe në fshatin Saraqinishtë, i cili ndodhet mjaft afër kësaj pike arkeologjike", ka pohuar Ceka. Edhe gjatë këtij sezoni turistik, Antigoneja antike ka qenë pjesë e guidave të operatorëve turistikë vendas dhe të huaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›