Rikthehet Jane’s Addiction
Rok grupi i njohur nga Los Angeles, Jane’s Addiction, ka konfirmuar se së shpejti do të publikohet albumi i ri, i emërtuar “The Great Escape Artist".
Sipas revistës ‘NME’, albumi i ri i grupit do të dalë në treg më 26 shtator, ndërkaq anëtarët e Jane’s Addiction, Perry Farrell, Dave Navarro, bashkë me Stephen Perkins dhe Dave Sitek, tashmë kanë incizuar edhe singlin e parë të tij, “End to the Lies”.
"Emri i albumit të ri është një aludim në ikjen nga e kaluara, megjithëse ne besojmë se e kaluara jonë është fantastike. Mund të prisni një përzierje të post pankut dhe të goth tingujve, sepse dëshironim që të tash e tutje të nisemi gjurmëve të grupeve si Radiohead dhe Muse", sqaroi Farrell për ‘NME’.
Ai pranoi se adhuruesve të vjetër të grupit, që tashmë janë mësuar që nga grupi të dëgjojnë tinguj alternativ, ndoshta këngët e eja nuk do t’iu pëlqejnë, por grupit i duhet të ecë në hap me kohën.
"The Great Escape Artist" është albumi i katërt i grupit, i cili e pason albumin e vitit 2003 "Strays".