Nertila Koka në Tiranë “Vajzat do t’i bëj këngëtare”
Nga këngëtare në Shqipëri, mësuese arti në Goteborg të Suedisë. Por askush nuk mund ta harrojë vajzën me sy të çelët, një nga këngëtaret më të njohura të muzikës së lehtë, Nertila Kokën. Në njëfarë mënyre ajo është tërhequr nga arti dhe skena, por jo nga Shqipëria, vendin që e viziton çdo vit gjatë muajve të verës. Këto ditë të nxehta ka vendosur të bëjë ca ditë plazh në bregdetin shqiptar, me dy vajzat dhe bashkëshortin. Ajo ka pohuar, se në Suedi nuk ka ndonjë jetë të pasur artistike, dhe angazhimi i saj i përditshëm është profesioni i mësueses së artit, për fëmijët. E këtë shkëputje të saj nga skena, ka menduar mesa duket ta kompensojë me dy vajzat e saj, të cilat i ka futur në rrugën e muzikës.
“Njëra nga vajzat është kitariste dhe ka shanse të bëhet superstar”, pohon Nertila. Fjalën e kishte për vajzën e vogël, që quhet Ani, që ka zë të bukur dhe ka premisa të bëhet këngëtare e mirë. Ajo vetë provoi të ngjitej në skenën e spektaklit “Këngët e Shekullit”, gati një vit më parë. “Muzika ishte dhe është pasioni im, por jam e qetë, që kur u largova nga Shqipëria nuk bëra një zgjedhje të sforcuar”, ka pohuar ajo. Por nuk e fsheh nostalgjinë për kohët e arta, kur këndonte dhe duartrokitej nga publiku. Këngëtarja bjonde u largua nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90-të. Tashmë ardhjet e saj janë vetëm për të takuar të afërmit dhe mikeshat këngëtare si, Irma dhe Eranda Libohova.