E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alma Bektashi në Tiranë pas dy vitesh mungesë

 

Alma Bektashi ka vizituar Tiranën, këto ditë të nxehta vere, pas dy vitesh mungesë. Me look-un e bjondes  së theksuar, dhe me një trup në formë, këngëtarja nga Prishtina mësohet të ketë ardhur të kalojë disa ditë pushime me vajzën dhe djalin e vogël, pranë prindërve të bashkëshortit, Sokolit. Arsyeja pse ajo i ka munguar Tiranës prej dy vitesh, ka qenë ardhja në jetë e djalit, dhe përkushtimi për rritjen e tij. Sipas pohimeve të vetë këngëtares, ajo po i përkushtohet jetës akademike ndërsa punon pedagoge e kantos në Akademinë e Arteve të Prishtinës, dhe po përgatit botimin e një libri për studentët e kësaj dege, me leksione dhe teknika mbi artin e interpretimit. Ajo që ka pohuar është se nuk është një këngëtare aktive në koncerte dhe nuk bën pjesë në grupin e këngëtarëve komercialë. “Aq më tepër as mund ta imagjinoj dot të këndoj në dasma”, është shprehur ajo, ndërkohë që dihet që vite më parë bëri revolucion në skenën shqiptare me këngët e rrymës “jazz”. Këngëtarja pas luftës së Kosovës vendosi të kthehej në Prishtinë, edhe pse bashkëshorti ishte tiranas. Madje ishte ai që mori iniciativën i pari për t’u shpërngulur për ca kohë, tregon Alma. “Nuk e mendonim se mund të jetonim në atë kaos edhe pse kishim shumë dëshirë, që ta provonim pas një ikje shtatë vjeçare”. Kështu u sistemuan shumë shpejt në Prishtinë dhe që atëherë Sokoli, nisi punë me bizneset e tij, ndërsa Alma filloi punë si pedagoge në Universitetin e Prishtinës. Ashtu siç i mungonte dikur Prishtina kur vendosi të studionte dhe të jetonte këtu në Tiranë, ajo nuk e fsheh që po ashtu ndien se i mungon Tirana, të cilën në fakt nuk e ka braktisur asnjëherë. Por nuk ka pohuar për ndonjë dalje të re në muzikë. Albumi i saj i fundit titullohej “Më mungon”, një bashkëpunim me kompozitorin Adrian Hila. Një nga planet e saj ka qenë realizimi i një albumi, përmbledhje të këngëve të saj “jazz”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›