Nertila Marku: “Krime në Purgator”
Një roman që do t’i bëjë qëndresë kohës
Të gjithë jemi në dijeni të asaj gjëme që përfshiu, veçanërisht vendet e sapodala nga diktatura, të paraqitur nga publicistika dhe mediet me emërtimin e trafikut të prostitucionit e të drogës. Por jam i mendimit se këtë temë therëse, në të vërtetë, e njohim sipas klisheve që thamë. Kështu janë krijuar edhe paragjykimet tona negative për këtë fatkeqësi me përmasa kombëtare, do të thoshim, sidomos pas 1997-s. (Këtë vit e përmend edhe autorja). Veçse nuk më duket se kjo temë e nxehtë është paraqitur në një vepër letrare, me aq njohje, me aq hollësi, me aq ndjeshmëri për të përshkruar në mënyrë bindëse, anën tjetër të medaljes. Mund të duket si një guxim i tepruar për një 22-vjeçare.
Mjedisi në të cilin zhvillohen ngjarjet e pazakonta, natyrisht që nuk mëtohet të jetë parajsa. Sepse ndër personazhet e Nertilës kemi edhe Danielën, mëkataren engjëll, që është njëra nga figurat më origjinale të letërsisë me këtë përmbajtje. Shpirti i saj është engjëllor. Këtë e përligj dashuria e saj për personin qe dashuron, gjer në vetëflijim në pastërtinë e saj si Njeri (me fillestare kapitale). Romani merr një fizionomi të thellë njerëzore, me zbërthimin e karakterit të kësaj vajze, tiparet e së cilës lënë mbresa të thella në lexuesin. Një vlerë e vërtetë për këtë roman me shumë personazhe, por me disa protagonistë, vërtet të skalitur. Por ja që jo vetëm Daniela, por edhe Edi, personazh qendror në vepër, janë të tillë që, me pendesën e tyre të sinqertë, e ndërthurur kjo me veprimtarinë e tyre, nuk janë djaj, ndonëse në shumë episode janë nën kthetrat e djajve. Kjo dukuri i jep edhe titullin romanit të Nertilës.
***
Kur Aleksandër Dymá (biri) shkroi veprën e bujshme “Zonja me kameliet”, kritika konservatore e kritikoi rëndshëm orvatjen e shkrimtarit për të ngritur në piedestal një prostitutë. Por lexuesit nuk u ndikuan nga ky zhvlerësim i kësaj kritike, që e quajti skandaloz atë roman që entuziazmoi lexuesit. Koha u dha të drejtë këtyre. Askush nuk mendonte, në fillim, se kjo vepër do të bëhej nga më të lexueshmet, në rrjedhë të kohës. Aq më tepër të mendohej se ky roman do të rivalizonte Aleksandër Dymà (atin), autorin e romaneve të panumërta, të gjitha të rendit të kryeveprave. Me një libër të vetëm, i biri u bë i dëgjuar si i ati. Ky i fundit bënte humor duke thënë se me “Kameliet” iu shtua atij edhe një vepër nga më të mirat. - Por “Zonjën me kamelie” s’e ke bërë ti, - i thoshin ata që nuk e kuptonin shakanë. - Por unë kam bërë autorin! - thoshte i ati. Verdi, me këtë subjekt, krijoi njërën nga operat e tij më të famshme, “Traviatën”, duke pavdekësuar figurën e Violetës që ishte, në të vërtetë, zonja me kameliet. Violeta ishte e keqpërfolur si një femër e qejfeve. Por mori përmasa të tjera në pentagramin e Verdit i cili nxori në pah, sikundër edhe Dymai, se ka edhe femra të tilla që dinë të dashurojnë me sinqeritet të veçantë, madje në disa rrethana, më shenjtërisht, se mjaft nga ato që i përgojojnë.
Kjo nuk do të thotë se po krahasojmë vepra të njohura botërisht, me veprën e një femre në hapat e parë të letërsisë, siç është autorja e “Krimeve në Purgator”. Por një përqasje figurash mund të bëhet. Dhe kemi besimin se figura letrare e Danielës ka për të zgjuar mbresa shumë të forta në lexuesin me përvojë të veprave tona letrare.
***
Një nga synimet e autores është kundërvënia që ajo i bën mendësisë së krijuar, tashmë, se elementët e kësaj gangrene që ka lulëzuar në mungesën e shtetit të fortë ligjor, kanë nxjerrë në arenën e krimit të pandëshkuar, “të fortët”, ata që i shmangen punës së ndershme, për fitime të majme të menjëhershme. Por në rrjetën e këtyre kapobandave kanë rënë edhe femra e meshkuj të cilët e kanë të vështirë, madje thuajse të pamundur, të shkëputen nga rruga e gabuar. Për të parët flitet pa mëdyshje dhe në mënyrë të njëmendët me ashpërsinë e medieve dhe të mendësisë që kanë përftuar ato. Autorja e përdor kështu, pa asnjë stepje togfjalëshin e rrugës së krimit. Por risia qëndron në atë se ajo kërkon të bëjë edhe dallimin me ata persona, me ndjenja njerëzore, që rrethana të ndryshme (të cilat ajo i vë në reliev gjallërisht), fatkëqij të cilët pendohen për rrugën e gabuar në të cilën janë zhytur, por kthimi prapa i ndëshkon barbarisht. Kemi, pra, një kategori të penduarish, që janë lënë në harresën e pulicistikës dhe të kronikave të gazetarisë, njerëz të cilëve autorja kërkon t’u dalë në mbrojtje. Duket se kërkohet një drejtpeshim i thyer, madje edhe një mendësi e sendërtuar në këtë mënyrë, kur problemi shihet bardhë e zi. Këtë anë tjetër të medaljes Nertila Marku orvatet ta ngrejë në një lajtmotiv, qoftë edhe për një balancim të këtij problemi të ndërlikuar. Dhe duket se këtij synimi ia ka arritur me sukses, duke përdorur të gjitha ngjyrat e spektrit të dritës. Romani përfiton shumë në këtë këndvështrim.
Romani shtjellohet përmes rrëfimeve të njërit prej personazheve kryesorë të veprës: të Edit. Ajo shkruan, në hyrjen e veprës, se “ka parapëlqyer të shkruajë me syrin e një mashkulli”. Shkruhet në vetën e parë të njëjësit. Duke shkruar sikur të ishte djalë, asaj do t’i duhet të përdorë edhe zhargonet mashkullore, duke lënë mënjanë finesën femërore. Por kjo vështirësi kapërcehet me dialogë të spikatur dhe nga elementet biografike që përçohen në roman. Autorja vetë personifikohet në njërën nga figurat më interesante të romanit, në atë të Lisës, nga ç’duket.
Tani le të citojmë diçka, për të vlerësuar dialogun e zhdërvjellët për të cilën folëm më sipër. Braktisja e Danielës në një pyll të një kodre egërsirash.
<< Unë isha në një çast që nuk di ta shpjegoj as vetë. Ti e di që po na ndiqte policia: mua dhe shokët e mi. Ti pastaj, nga ana tjetër, më lodhe duke mos dashur të punoje në rrugë. Ti për atë punë kishe ardhur, apo jo?
-E vërtetë, por unë nuk kisha llogaritur diçka tjetër në këtë mes – tha ajo.
-Cilën?
-Që mund të dashurohesha pas teje.
-Si?
-Nuk e di sesi, por brenda ditëve të para që u njohëm, kishte lindur diçka ndaj teje. Edhe pse kishim qëllime të tjera, sjellja jote më bëri për vete. Të dy e dinim se çfarë pune do të bëja. Por sa herë që isha me ty, vija re se nuk më trajtoje si një prostitutë, pavarësisht nga çastet kur ziheshim.
-Unë nuk e kam ditur këtë, Danielë.
-Nuk kishe si ta dije sepse ideja që një prostitutë mund të dashurohet me tutorin e saj, është pak absurde për t’u justifikuar si e besueshme.
-çfarë do të thuash me këtë? Fol më qartë!
-Pikërisht pse u ndjeva e dashuruar pas teje që javën e parë, ngurrova të dilja në rrugë. Doja të rrija veç me ty. Por e dija se nuk do të më besoje për atë ndjenjë, prandaj arritëm në atë pikë.
-Përse nuk më denoncove kurrë?
-Duket që nuk ke dashuruar ndonjëherë përderisa e bën këtë pyetje. Edhe njëherë tjetër po të ma bëje atë që ma bëre dikur, nuk do të mund të të denoncoja. Dashuria është më e fortë se arsyeja në këto raste. [Diçka të tillë ka thënë Aldred dë Myséi në një varg-aforizmë: “L’amour a ses raisons, que la raison ne connaît pas “ (Dashuria ka arsyet e saj, që as arsyeja vetë nuk i di)- K.X.]. Dhe ta dish që s’do ta bëja kurrë (denoncimin, shënim).
Nuk do t’iu besoja veshëve. U ndjeva tepër i penduar për gjithçka kisha bërë në drejtim të saj, që e kisha detyruar të dilte në rrugë , kur nuk donte.
-Kjo është e tepërt, - mendova me vete. Ky njeri duhet të ketë vërtet një zemër të madhe, pas të gjitha atyre që i kisha shkaktuar.
-U bëre dhe mjeke?
-A të kujtohet kur të kam thënë se prindërit e mi ishin mjekë dhe që gjithmonë kisha dashur të bëhesha si ata?
-Po. Më kujtohet.
Pasi shpëtova gjallë nga ai mal ku më le ti, kam punuar edhe për pak kohë në Itali sa për të siguruar ca para, për t’u kthyer sërish në Rumani. Dhe ashtu bëra. Por a e di se çfarë gjeta atje?
-çfarë?
-Prindërit e mi kishin vdekur para se të shkoja unë atje. Kishin pasur një aksident, duke shkuar rrugës për në Shqipëri, pasi kishin dëgjuar se unë isha “e ngujuar” atje.
... Gjeta vetëm varrin e tyre pa buqetën time, pa buqetën e fëmijës se vetme, që nxorën në jetë! Sepse ajo fëmijë ndodhej në një anë tjetër, duke shkelur me këmbë të gjithë mundin e tyre...
-Sepse të detyroja unë...
-Sepse e kisha nisur prej kohësh, pa e ditur se ku do të më çonte ajo udhë. Ti thjesht më ndihmove të kuptoja gabimin, ndjenja për ty me ndihmoi...
-çfarë të ndodhi më pas?
-U betova në varrin e prindërve të mi se do ta ndryshoja tërësisht jetën time. Dhe menjëherë u futa në shkollë të mjekësisë. Tani, ja ku jam!
-Pse nuk më dhe fund, kur e pe se isha unë pacienti? (Ajo e kishe operuar, - shënim).>>.
Dhamë një fragment të anës tjetër të medaljes.
...