E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse Shqipëria po ndryshon, pse silleni njëlloj?

Sulmet e politikanëve ndaj institucioneve, tek ne janë praktikë e zakonshme. Ndaj, edhe sulmi i z. Basha ndaj Prokurorisë nuk habiti askënd. Por për çfarë e akuzoi ai organin e akuzës? As më pak e as me shumë se sa “për allishverishe me opozitën”. Do ketë pasur ndonjë inat Ina Rama me Berishën, paçka se ky e mori nga juriste të thjeshtë dhe e bëri Kryeprokurore. Dhe, bash për këtë arsye, siç thotë edhe fjala e urtë e popullit, ajo nga inati i se vjehrrës shkoi të flinte me millonanë. D.m.th, flirtoi me opozitën (kurse Basha u mbajti pishtarin natën e flirtit, ndaj edhe i di të gjitha).

Natyrisht që, pas gjithë bataresë së tij me plumba manovre, fshihet qëllimi për të larë veten. Kjo lloj mbrojtjeje, duke kërkuar e shpikur armiq imagjinarë, përveçse një imitim i keq i metodave të xhaxhit, nuk ka gjasa t’ia mbushë mendjen njeriu. Aq më pak një publiku, të cilin e mban me këmbë në tokë graviteti mediatik.

Akuza për “prokurori politike” është një tullumbace që ka plasur njëherë. Është qesharake që Basha mundohet akoma t’i fryjë asaj. Prokuroria nuk ka bërë akuzë politike. Ne e dëgjojmë Bashën, por kemi parë edhe qindra dëshmi e fakte që ai dhe cilido tjetër, para apo pas tij, e kanë bërë baltë punën me fondet e kësaj rruge të shenjtë për shqiptarët.

Berisha thotë se Shqipëria po ndryshon, por në rastin Basha po na thotë se Shqipëria ka mbetur ajo që ishte; vendi ku politikanët ndihen perëndi, dhe nuk mund t’u hyjë gjemb në këmbë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›