E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndjekim yllin për në shtëpitë e atyre që kanë më pak se ne

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona”. ... Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem e mirrë» (Mt 2, 1-2.9-11).

Porsi dijetarët që vinin nga Lindja me dhurata për mbretin e judenjve, le ta ndjekim edhe ne yllin dhe të ndalemi në shtëpinë e të varfërve, fëmijëve të braktisur, nënave të keqtrajtuara, pleqve të harruar, të sëmurëve të pashpresë...

Le ta nxisim njëri-tjetrin me bujari, le ta hapim zemrën tonë, për ata që kanë më pak se ne.

Të dielën, me datë 14 dhjetor, në Kishën e Zemrës së Krishtit, në rrugën e Kavajës, kremtojmë Ditën Kushtuar Dashurisë Vëllazërore. Që nga ora 9, mund të japësh kontributin tënd në ushqime, në para dhe mund të dhurosh edhe gjak (me asistencën mjekësore të Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut). Nëse të dielën nuk mundesh, gjatë gjithë javës mund të kalosh nga kisha e të dhurosh ushqime dhe para, pak, por kujto se ajo çka është pak për ty, është një ditë me barkun plot për dikë tjetër...

Gëzimi do ta mbushë zemrën tënde, sepse është gëzim më i madh kur jep se sa kur merr! Dhe “GËZUAR KRISHTLINDJET!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›