E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëse nuk i fitoj zgjedhjet, largohem”

20/01/2012  Kryeministri Berisha komenton të ardhmen politike në rast të humbjes së zgjedhjeve

Përvjetori i 21 janarit, kreu i qeverisë: Viktimat mund të jenë vrarë nga plumbat e Gardës

Standardi i vendosur në politikë nga Fatos Nano rreth gjashtë vjet më parë duke u dorëhequr nga posti i kryetarit të partisë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare do të ndiqet edhe nga Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së. Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi dje në intervistën për “AS” se do të heqë dorë nga politika ditën kur qytetarët shqiptarë nuk do të votojnë më partinë e tij. “Unë do të heq dorë ditën që shqiptarët nuk do të më votojnë. Askush sdo tu jetë më mirënjohës se Sali Berisha për besimin që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo është historia ime. Projekti im më i madh aktual është ta bëjë Shqipërinë një vend të zhvilluar”, - tha Berisha. I krahasuar me Les Valesën e Polonisë dhe me Vaslav Havelin e Çekosllovakisë, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë, si një ndër liderët më të rëndësishëm të revolucioneve demokratike në Evropë 20 apo 21 vjet më parë, Berisha ishte dakord me këtë krahasim. “Është e vërtetë. Unë vij nga vitet 90. Lëvizja e shqiptarëve është unike në disa aspekte. Ngjan me lëvizjen çeke në disa aspekte. Siç e dini, disidenca çeke ka ekzistuar që nga vitet 60. Në Shqipëri çdo pjesë mbi të drejtat e njeriut duhej të përmbante dënimin me vdekje. Por ajo që ishte e ngjashme me modelin çek kishte diçka shumë të ngjashme. Në Pragë ishin studentët e universitetit ata që e filluan këtë lëvizje. E njëjta gjë ndodhi në Tiranë. Një vit më vonë ne u ndikuam shumë nga Haveli, nga Revolucioni i Kadifenjtë. Njësoj si çekët, ne arritëm të kryenim një tranzicion paqësor, edhe pse në kushte shumë më të vështira”, - rrëfeu numri një i qeverisë.

Edhe më i prerë ishte lideri i së djathtës lidhur më ketë çështje në intervistën televizive “Vizion Plus” për emisionin “Debat”. Në përgjigje të interesit të drejtuesit të emisionit Alfred Peza nëse ai do të tërhiqej nga politika nëse do të humbiste zgjedhjet e 2013-s, siç bëri ish-kryeministri socialist më 2005-n, kryeministri Berisha u përgjigj: “Përfundimisht.” Gjatë intervistës ai sqaroi këndvështrimin e tij dhe qëndrimin e mazhorancës për situatën politike në vend dhe çështjet që e shoqërojnë atë. Kryeministri Berisha, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, konfirmoi se do të jetë kandidat i PD-së për kryeministër në zgjedhjet e viti të ardhshëm, si dhe garantoi në rast të humbjes së tyre rotacion të qetë politik. “Absolutisht do të respektohet verdikti i qytetarëve në mënyrën më të vendosur dhe më të civilizuar”, - theksoi shefi i ekzekutivit. Pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme në korrik të 2005-s, kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, dha dorëheqjen nga kryesimi i Partisë Socialiste, duke vendosur në këtë mënyrë një standard të vlerësueshëm në politikën shqiptare. “Kam vendosur ti qëndroj besnik moralit dhe filozofisë sime politike: të marr përgjegjësitë që më takojnë për situatën e krijuar dhe të largohem nga drejtimi i Partisë Socialiste”, - deklaroi ndër të tjera Nano më 1 shtator të atij viti.

Viktimat e 21 janarit, Berisha: Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshetë të Gardës

Kryeministri Berisha ka deklaruar një vit pas ngjarjes së 21 janarit se plumbat që shkaktuan katër viktima nga protestuesit mund të kenë qenë të Gardës së Republikës. Gjatë intervistës në “AS”, duke folur për këtë çështje, numri një i qeverisë tha se është hetimi i detajuar ai që do të përcaktojë nëse ishte apo jo një përpjekje e organizuar. “Nëse ishte apo jo një përpjekje e organizuar, do ta vendosë një hetim i detajuar mbi këtë çështje, pasi të jenë qartësuar të gjitha detajet. Por diçka është e sigurt: ata nuk sollën lule në zyrën time. Pavarësisht kësaj, unë sdo të largohesha kurrë nga zyra. Këto ishin rrethanat... Pati 4 viktima, por asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshetë të Gardës së Republikës, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”, - tha Berisha. Ai shprehu rezerva për kohëzgjatjen e hetimeve, por shprehu bindjen se do të realizohet. “Le të vazhdojë hetimi. Brenda një viti askush sështë deklaruar përgjegjës për organizimin e këtij sulmi. Brenda një viti shqiptarët thuajse sdinë asgjë, dhe ata po presin ende. Ky hetim është absolutisht shumë i rëndësishëm dhe jetësor. Dhe ai do të realizohet. Siç e dini, demokracia ka dobësitë e saj, por ajo funksionon. Mund të ketë pengesa, por pastaj ecën përpara. E tillë është edhe në Shqipëri”, - tha shefi i qeverisë.

Berisha e Leskaj

Kryeministri siguron mbështetje për KLSH-në

Kryeministri Berisha në takimin që pati me kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, e siguroi atë për mbështetjen maksimale që qeveria që ai kryeson në punën e kryekontrollorit, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes janë gur themeli në një shtet demokratik. Ndërkohë që shprehu besimin se KLSH-ja do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe objektivitet maksimal në përputhje me ligjin, kreu i qeverisë i kërkoi Leskajt që kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel vendor. Ndër të tjera Kryeministri theksoi se është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH-së të përqendrohet në shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet. “Me punën tuaj të përpiqeni të forconi besimin e publikut te këto institucione, si dhe të përcillni një përgjegjshmëri sa më të lartë për zbatimin e ligjit”, - u shpreh ai.

Ndërsa Leskaj garantoi për një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër.

Takimi zgjati 30 minuta

Berisha pret ambasadorin e SHBA-ve, Arvizu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, paraditen e djeshme zhvilloi një takim me Kryeministrin Berisha. Ambasadori Arvizu është parë të hyjë në godinën e Kryeministrisë rreth orës 11:00 për një takim me kreun e qeverisë, takim që ka zgjatur rreth 30 minuta. Zyrtarisht nuk ka pasur njoftim për zhvillimin e këtij takimi. Duke qenë se ai vjen një ditë pas deklaratës së përbashkët nga tre diplomatë të akredituar në Tiranë, të cilët kërkonin zbardhjen e 21 janarit, mendohet se ngjarjet e asaj dite të kenë qenë në fokus të bisedës mes Berishës dhe Arvizut. Gjatë këtyre ditëve ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë intensifikuar takimet me zyrtarët e lartë të shtetit për shkak të klimës së ashpër politike në vend, kur qeveria është në përplasje me opozitën për vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë për ish-zv.kryeministrin Meta dhe për ngjarjen e 21 janarit. Po dje ambasadorët e disa prej vendeve të BE-së u mblodhën në zyrën e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, në një takim urgjent, që zgjati më shumë se një orë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›