E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, PD: Drejtësia do të bëhet, fajtorët do të ndëshkohen

Një ditë përpara një vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit Partia Demokratike përmes deputetit të saj Edi Paloka ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Prokurorisë dhe lidershipit të Partisë Socialiste. Sipas tij organi i Prokurorisë jo vetëm që nuk ka arritur të zbardhë dhe të vërë përballë drejtësisë personat që dhunuan institucionet shtetërore, por ka prishur dhe provat që ekzistonin. Në këtë kontekst nuk ka lënë pa akuzuar dhe Edi Ramën, si organizator i sulmeve dhe skenarit të dhunshëm, që sipas tij u mori jetën 4 personave, ndërsa është zotuar se PD do ta cojë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarje.

“Një vit më parë, Edi Rama, në bashkëpunim me drejtues të papërgjegjshëm të disa institucioneve të vendit, do të zgjidhnin 21 janarin për të organizuar, me mercenarë të paguar, rrethimin, sulmin e dhunshëm kundër Këshillit të Ministrave, për përmbysjen e Qeverisë së zgjedhur me votën e lirë.
Si pretekst për organizmin e këtij akti kriminal, antikushtetues, u përdor një video e montuar nga Edi Rama, në të cilën Kryeministri i vendit paraqitej i implikuar në një çështje, me të cilën ai nuk kishte patur të bëjë ndonjëherë, ndërsa Zëvendëskryeministri paraqitej i implikuar në një video të prerë dhe ngjitur 28 herë, të cilën Gjykata e Lartë e vendit, me vendimin e saj unanim, do ta gjente tërësisht mashtrim dhe falsifikim.
Më 21 Janar të vitit 2011, pas pesë orë sulmi mbi kryeministrinë, mbetën të vrarë katër qytetarë dhe të plagosur qindra policë, gardistë dhe qytetarë. Natyrisht, qëllimin e tyre antikushtetues, puçistët nuk arritën ta realizojnë. Megjithatë, ata vazhduan, në ditët në vijim, veprën e tyre kriminale, por dështuan.
Sot, pas një viti, prokuroria politike, pjesë e skenarit të përmbysjes me dhunë të pushtetit legjitim të vendit, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hetim për organizatorët dhe bashkëpunëtorët e aktit të dështuar të përmbysjes së pushtetit me dhunë, por përkundrazi, ka prishur provat duke besuar se, ata do mund t`i shpëtojnë ligjit dhe drejtësisë për këtë vepër antikushtetuese.
Sot, pas një viti, përsëri Partia Demokratike u shpreh edhe njëherë ngushëllimet familjeve të viktimave dhe garanton ata dhe shqiptarët se, drejtësia do të bëhet.
Partia Demokratike zotohet se kjo ngjarje nuk do të kalojë kurrë pa hetimin e plotë të organizatorëve, pagatorëve dhe sponsorizuesve të dhunës për marrjen e pushtetit, rrethanave dhe atuorëve të viktimave dhe plagosjeve të 21 janarit 2011”- u shpreh ai.
 

Ndërsa ka shtuar se nesër është një ditë e madhe në historinë e kombit shqiptar, mbajtja e Kongresit të Lushnjes, që rithemeloi dhe ndërmorri vendime e reforma jetike shtet-formuese.

“Më 21 Janar të vitit 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjes, Kongresi që rithemeloi Pavarësinë e Shqipërisë, vendosi që Tirana të jetë kryeqyteti i Shqipërisë, themeloi pluralizmin, zgjodhi Qeverinë e kryesuar nga njëri prej burrave të shtetit më të shquar të kombit, Sulejman Delvina dhe me anëtarë Ahmet Zogu, dhe personalitete të tjera të shquara të vendit, ndërmorri vendime dhe reforma jetike shtet-formuese dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Sot, shqiptarët me nderim të madh do të përulen para veprës së ndritur të Kongresit të Lushnjes, këtij akti madhor në historinë tonë kombëtare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›