E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturat e ujit të pijshëm, Ujësjellësi po abuzon

20/01/2012  Ankohen banorët, bashkia: Nuk jemi në dijeni, vendimet nga Këshilli Bashkiak

FIER- Qindra banorë të Fierit akuzojnë Ndërmarrjen e Ujësjellës–Kanalizimeve për abuzime me faturat e konsumit të ujit të pijshëm. Banorët ankohen se ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë këtë muaj kanë ndeshur në abuzime të tmerrshme nga ana kësaj drejtorie. Kështu, Këshilli Bashkiak kishte vendosur rreth 4 vjet më parë që tarifa e ujit të pijshëm të shkonte në rreth 400 lekë për person, por një vendim i fundit i Drejtorisë së Ujësjellësit ka çuar faturë aforfe për të gjitha familjet pa përjashtim. Ky muaj çdo faturë ka shkuar me 1200 lekë, duke penalizuar shumë familje që janë me një ose dy anëtarë. E ndërkohë që qytetarët po vijojnë të ankohen, nga ana e Baskisë Fier, e cila ka 53% të aksioneve të Drejtorinë e Ujësjellës kanalizimeve deklarohet se nuk është fare në dijeni të këtij ndryshimi, i cili penalizon familjet. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Florjan Mucaj, ai që shton dhe ul faturën e ujit është Këshilli i Bashkisë, i cili nuk ka marrë asnjë vendim të tillë. “Nuk kemi dijeni për këtë ngritje të befasishme të faturës. Këshilli Bashkiak në asnjë mbledhje të vitit 2011 nuk ka pasur për shqyrtim një problem të kësaj natyre. Më vjen keq që gjithçka po ndodh na përcillet vetëm nga ankesat e qytetarëve”, ka deklaruar për mediat Mucaj. Ndërkohë drejtori i Ujësjellës- Kanalizimeve, Salarjon Toto, ka deklaruar se ka qenë një vendim i Këshillit Mbikëqyrës ai që ka vendosur këtë faturë aforfe për të gjitha familjet. “Kemi bërë këtë gjë pasi nuk mundemi të verifikojmë çdo familje se sa anëtarë ka . Kjo mënyrë faturimi do të vazhdojë derisa ne të vendosim sahate matës për të gjitha familjet”, ka deklaruar Toto.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›