Nese nuk ka transparence qeveria do te rrezohet me force

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, njëkohësisht një nga drejtuesit e Opozitës së Bashkuar, duket se e ka pritur qëndrimin e mazhorancës për të mos lejuar hetimin, pasi siç thotë ai në intervistën për “Shqip”, mazhoranca e di që po të hetohen zgjedhjet, atëherë do të dalin në shesh manipulimet. Avokat Ngjela, ndërkohë e bën të qartë se reagimi i opozitës do të jetë shumë i fortë pas refuzimit dhe popullit opozitar i duhet ta rrëzojë këtë qeveri të paligjshme. Sipas Ngjelës, protestat e opozitës do të sjellin patjetër mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme...
Z. Ngjela, së fundmi shumica duket se ka pranuar të ngrejë komisionin hetimor, në datën 23 dhjetor. Mendoni se po i hapet realisht një dritare shprese transparencës së 28 qershorit?
Nuk mund të thuash se vërtet kjo mazhorancë e ka pranuar ngritjen e Komisionit të Transparencës. Në fakt nuk ka një mazhorancë funksionale, por ka vetëm një njeri, i cili ka manipuluar zgjedhjet dhe ka nxjerrë në pahun politik 70 kukulla të cilat, pasi i ka korruptuar dhe trembur, luan me to si t’i këtë skllevër. Ky është Kryeministri Sali dhe kur do të flasim për një pranim, ky pranim duhet të jetë i Saliut. Atëherë, pyetja mbetet të jetë kjo: do ta pranojë Saliu ngritjen e një komisioni që të hetojë kutitë e materialeve të votimit? Ai kurrë nuk do ta pranojë; sepse i gjithë manipulimi është kryer aty: në ato kuti do të shihni se kanë votuar emigrantë që nuk janë ndodhur këtu ditën e zgjedhjeve, të vdekur, turli lloj njerëzish fantazmë, të cilët sigurisht që e rëndojnë Saliun si manipulator. Por, megjithatë, çfarë do të bëjë tani Saliu, se kjo ka qenë oferta e tij? Këtu do të ngecë gjithçka; Saliu do të vërtitët me injorancën e vet, me egërsinë barbare që e karakterizon, por nuk ka çfarë të bëjë. Ne kemi luajtur në këtë rast me kartën e tij. Në politikë ka dy mënyra sesi duhet të operosh: ose të djegësh kartën e kundërshtarit, ose ta marrësh atë dhe ta vësh në veprim. Në këtë rast, Saliu gjithmonë mendoi të digjte kartën tonë; dhe llomotiste si një i pështirë për “Kushtetutë e për ligj”, kur nuk kishte fare pengesa të tilla. Pastaj, nga presioni i grevës së urisë foli për djegien e fletëve të votimit dhe hapjen e kutive me materialet zgjedhore. Në fakt këtë e ai e hodhi si kartë propozuese, sepse mendoi që ne nuk do të hiqnim dorë nga fletët, dhe po ecte si një hajdut që ishte fshehur diku. Por befas ne i thamë dakord: “Hap kutitë e materialeve dhe bëj çfarë të duash me fletët”. Dhe, ai, ka që nga ajo ditë që llomotit, duke thënë: jo janë të vonuar; jo po nuk janë të qartë; jo po do t’i çoj në arkivë, por në fakt nuk ka ku lëviz më, sepse nuk ka më asnjë centimetër katror hapësire. Tani ne e kemi kapur me fjalët e tij, si hajdut dhe nuk do ta lëshojmë. Ai është i detyruar që të pranojë ngritjen e Komisionit Parlamentar për Hetimin e Kutive të Materialeve Zgjedhore.
Çfarë do të ndodhë nëse mazhoranca nuk e pranon edhe këtë herë ngritjen e Komisionit?
Nëse nuk do ta pranojë edhe këtë herë, në një kohë kur vetë e ka propozuar, atëherë vërteton manipulimin e zgjedhjeve dhe popullit opozitar i takon që ta rrëzojë këtë qeveri të paligjshme me çdo mjet.
Çfarë doni të thoni, me çdo mjet?
Me çdo mjet do të thotë me forcë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Popullit opozitar i duhet që të vendosë demokracinë në Shqipëri. Kur një qeveri manipulon zgjedhjet, ajo është e paligjshme. Kur ajo kapet me manipulime, ajo nuk mund të qëndrojë dot asnjë orë në qeverisje. Nëse qëndron në mënyrë të paligjshme, atëherë popullit i takon ta rrëzojë. Është ekuacion i thjeshtë ky: të gjithë në rrugë; ta paralizohet gjithçka; të mos lejohet më asnjë hapësirë ku mund të punojë një qeveri e paligjshme; dhe çështja, pa dyshim që do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ja kjo është e gjitha: me forcë për të bërë zgjedhje të lira në Shqipëri. Ne ia kemi premtuar opinionit publik se do ta vendosim institucionin e garantimit të votës së lirë në Shqipëri; dhe këtë do ta bëjmë se e kemi angazhim historik.
Në vijim të sa më sipër, mendoni se ka një pavendosmëri dhe paqartësi në aksionin e PS dhe të Kryetarit të saj, duke qenë se pavarësisht lëshimeve të bëra konkluzioni i tij është sërish rifillimi i protestave? D.m.th për çfarë ka shërbyer kjo tërheqje e Edi Ramës?
Nuk është kështu. Unë nuk kam parë asnjë tërheqje nga PS dhe kryetari i saj Rama. Përkundrazi, PS dhe kryetari i saj janë treguar këmbëngulës, persistentë dhe të qartë gjatë gjithë kohës. Si mendoni ju, mos ka qenë e lehtë për të bindur opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për manipulimin e madh të zgjedhjeve? Përkundrazi, në këtë çështje është i implikuar një nga njerëzit më negativë të historisë politike të Shqipërisë; Sali Berisha. Ai vjedh, korrupton, blen, shantazhon, kërcënon, dhe mendoi se kështu do të vendoste dinastinë e tij në Shqipëri. Persistenca e Ramës e ka ndaluar këtë fenomen shkatërrues për Shqipërinë dhe, pas këtij frenimi, Opozita e Bashkuar do ta shkallmojmë tiraninë barbare të Saliut në Shqipëri. Kjo opozitë do të vendosë në Shqipëri, votën e lirë dhe qarkullimin e elitave, do të vendosë drejtësinë, ligjin dhe moralitetin në qeverisje. Keni për ta parë… Rikthimi te protestat është vendosmëri; madje vendosmëri shumë e madhe. Pa protesta, ky Kryeministër i paligjshëm nuk e pranon Komisionin që shpjeguam. Me protestat ne tregojmë se jemi të vendosur për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri dhe këtë ua themi të gjithëve; kujtdo që merret me Shqipërinë. Ka ardhur koha të vendoset demokracia në Shqipëri, sepse shqiptarët po vuajnë ende të kaluarën e tyre. Ne, si shoqëri, jemi ende në inercinë e rënies së tiranisë komuniste në Shqipëri, dhe, ajo, do të konsiderohet e rrëzuar vetëm atëherë kur të jetë vendosur vota e lirë me garanci institucionale në Shqipëri.
Atëherë, z. Ngjela, po çfarë synojnë protestat e nisura dhe a jeni optimist se ato do të kenë një produkt politik kësaj radhe?
Unë ua shpjegova, por po e ritheksoj se, këto protesta, kanë lidhje me Komisionin që pritet të ngrihet më datë 23 dhjetor. Nëse mazhoranca e Kryeministrit Sali nuk do ta pranojë Komisionin Hetimor, protestat do të bëhen, jo vetëm masive, por edhe europiane. A i keni parë sesi bëhen protestat në Francë, në Angli, në Itali, madje edhe në Greqi? Ja ashtu do të jenë edhe këto tonat, derisa të bëhet transparenca e zgjedhjeve të fundit, dhe të vendoset garantizmi i votës së lirë në Shqipëri. Nëse nuk do të lejohet transparenca e zgjedhjeve; edhe sipas formulës që ka propozuar vetë Saliu, atëherë gjithçka është e qartë: ne nuk mund ta lëmë më këtë tirani në Shqipëri, se do të na tallë historia, në mos më shumë se kaq.
Si e gjykoni situatën e krijuar pas përmbytjeve në Veri? Ka specialistë që shprehen se ato nuk mund të shmangeshin. Pra ku ndahet përgjegjësia e qeverisë me forcën madhore që veproi në këtë rast, sipas saj?
Përmbytja ishte kriza e njëzet vjet qeverisjeje me këmbë dhe jo me kokë në Shqipëri. Kur qeveritë me radhë, vjedhin dhe nuk drejtojnë me ekspertë dhe me njerëz të ditur, por me nepotizëm dhe militantë injorantë e të inkriminuar; patjetër që do të pllakosë gjëma. Dhe kjo na pllakosi. Por çfarë ka ndodhur? Një gjë shumë e rëndë. Dhe le ta shpjegojmë: Shqipëria, në vitin 1945, ishte një vend i kënetëzuar. Kjo ka qenë një fatkeqësi natyrore në truallin tonë, por e krijuar ngadalë në shekuj. Lumenjtë kishin dalë dhe kishin pushtuar tokat, ata dilnin sepse iu qe zënë gryka, dhe, duke vërshuar, kishin krijuar ekuilibrin e tyte kënetor. Qeveritë e pasluftës, e studiuan këtë fenomen dhe e zgjidhën, me një vepër inxhinierike të niveleve shkencore. Me gjithçka, por më shumë me një punë rropatëse njerëzish që kanë punuar në kushte shumë të vështira, shumica të burgosur politikë. Në fund, ajo vepër u krye dhe Shqipëria, jo vetëm që fitoi tokë, po zhduku edhe malarien. Sistemi mbahej në këmbë me katër draga të mëdha që rrinin dhe thellonin vazhdimisht grykat e lumenjve të mëdhenj të Shqipërisë. Ishin ndërtuar gjithashtu nëntë hidrovorë, që nga Shkodra e deri në Sarandë dhe ishte puna e përditshme nëpërmjet Ndërmarrjes së Bonifikimit, e cila ishte me një madhësi të konsiderueshme në Shqipëri. Sistemi kishte përgjegjësi në mbajtje. Dhe ecte sipas kësaj rrjedhe administrative: nga 1 qershori i çdo viti dhe deri më 25 gusht, bëhej thellimi i grykave të lumenjve; thelloheshin ata dhe përmirësoheshin edhe argjinaturat e shumta që ishin ndërtuar, por edhe kanalet kulluese. Më datë 25 gusht, instituti shkencor inxhinierik përgjegjës, kontrollonte punën e kryer dhe firmoste për parametrat. Kurse, menjëherë pas vistos që jepte Instituti, ministri i Bujqësisë raportonte më 1 shtator të çdo viti në Mbledhje të Qeverisë dhe merrte përgjegjësi. Por pas vitit 1991, asgjë nga këto nuk është bërë. Gjendja ishte disi e qetë sepse kishte thatësirë. Por, ka tre vjet që janë dhënë shenjat; dhe kjo qeveri injorante që e drejton vetëm sipas xhepit të saj, dhe jo nevojave të shtetit, as që e çau kokën fare, derisa, në dy vjet, gjithçka u shkatërrua. Tani ne jemi në rrezikun e rikënetëzimit të Shqipërisë. Ja, pra, kjo është gjendja. Tani kjo qeveri nuk ka më asnjë lek, është e falimentuar dhe nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do ta rëndojë edhe më tepër situatën. Kurse dëmi është shumë i madh. Dhe e ka krijuar neglizhenca shtetërore. Është faji i shtetit dhe ky duhet të përgjigjet deri në një. Vetëm në Shkodër, dëmi mendohet të jetë rreth 150 milionë euro. Kurse në të gjithë Shqipërinë shkon rreth 300 milionë euro. Kjo është një përgjegjësi e madhe, e cila duhet dëmshpërblyer, se në të kundërt do krijojë një konflikt të brendshëm shumë të rrezikshëm për ecurinë e shoqërisë. Unë do t’i propozoj Opozitës së Bashkuar, që, pasi ta përllogarisë dëmin saktësisht, të deklarohet për shpërblimin e tij, sepse shteti i Saliut në këto vite ka qenë një keqbërës i Madh. Kushdo që kërkon të vendosë moralitetin në qeverisjen e vendit, duhet të shpërblejë dëmet që i ka shkaktuar tirania individit në gjashtëdhjetë vitet e fundit.