E Diel, 1 Nëntor 2026

Kouchner Ata qe flasin per Shtepine e verdhe jane kriminele dhe psikopate

Deklarata Shefi i diplomacisë franceze mohon implikimin e Kosovës në trafikun e organeve

Ish-administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, ka mohuar kategorikisht se Kosova të jetë implikuar në trafikun e organeve të qenieve njerëzore. Madje ai i ka quajtur të pavërteta deri në çmenduri fabrikimin e lajmeve të tilla dhe u bëri thirrje gazetarëve që të mos besohet nga ata gjithçka që thuhet. Sipas ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ata që flasin për “Shtëpinë e verdhë” kanë nevojë t’i drejtohen për kontroll psikiatrit.

Gjatë vizitës së shefit të diplomacisë franceze, Bernard Kouchner, në Graçanicë u shënua një incident i rëndë menjëherë pasi ai përfundoi së pari poliklinikën e kësaj komune të banuar nga shumicë serbe. I pyetur nga gazetari serb i “Zërit të Amerikës”, Budimir Niçiq, se a ishte përfshirë ai në trafikun e organeve në rastin “Shtëpia e verdhë” në Burrel të Shqipërisë, shefi i diplomacisë franceze fillimisht qeshi, e më pas reagoi ashpër duke thënë: “Shkëmbejmë organe? Mos jeni gjë i sëmurë? Ju mendoni se jam i tillë! Mos besoni gjithçka që thuhet! D.m.th. Rada dhe unë kemi vjedhur kufoma dhe organe! Nuk jam kaq i mjerë”.

Më pas, kur u pyet se cili ishte qëndrimi i tij në rastin “Shtëpia e verdhë” në Burrel, ku sipas dëshmitarëve serbë u janë marr organet serbëve të rrëmbyer, Kouchner u shpreh: “Shtëpia? Çfarë është kjo ‘Shtëpia e verdhë’? Pse ‘e verdhë’? Në Shqipëri! Zotëri, ju duhet një kontroll mjekësor. E kjo tani është e tepërt. Po a mendoni ju se ne do të shkëmbenim organe?! Ata që flasin për këtë janë idiotë dhe vrasës”, vijoi Bernard Kouchner. Me këto fjalë duket se iu dha fund thashethemeve serbe mbi trafikun e organeve në Burrel, ku thuhet se është përfshirë edhe ish-shefi i UNMIK-ut dhe ministri aktual i Punëve të Jashtme i Francës, Bernard Kouchner.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›