E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhja e Gërdecit përmirëson imazhin e Shqipërisë

Nga The Economist

Një krater i përbaltur shenjon vendin afër Tiranës, ku shpërthyen predhat e depozituara marsin e kaluar. Shpërthimi vrau 26 persona, përfshi disa fëmijë, dhe plagosi më shumë se 250 të tjerë. Dhjetëra shtëpi në fshatin ngjitur u shkatërruan përtej çdo mundësie riparimi.

Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, reagoi duke larguar nga detyra Fatmir Mediun, ministrin e Mbrojtjes. Shtëpitë e dëmtuara po rindërtohen me ndihmat e qeverisë. Por njerëzit janë ende të zemëruar. “Kjo, - thotë Fiqiri Ismaili, kryekomunari, - ishte katastrofa më e madhe që nga rrëzimi i komunizmit.”

Zbulimi i shkaktarëve të shpërthimit dhe nxjerrja e fajtorëve para drejtësisë, është një test për besueshmërinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s në të ardhmen. Kjo do të ndihmonte gjithashtu zotin Berisha të realizonte synimin e tij për ta bërë Shqipërinë kandidate zyrtare për t’u anëtarësuar në BE. Kjo vjen për shkak se kritikat më të rrepta të BE për Shqipërinë janë drejtuar ndaj sistemit gjyqësor. Shpesh gjyqtarët dhe prokurorët marrin ryshfet ose iu bëhet presion nga politikanët.

Shumica e viktimave të shpërthimit ishin punonjës të kompanisë “AlbaDemil”, një kontraktor vendas që punonte për një firmë amerikane që i shiste armë ushtrisë afgane. Kur magazinat shpërthyen, disa punëtorë ishin duke ripaketuar predha kineze 40-vjeçare, për të fshehur origjinën e tyre (kontraktorët amerikanë të armëve e kanë të ndaluar shitjen e materialeve ushtarake kineze). Të tjerët hiqnin barutin dhe detonatorët nga predhat që supozoheshin jashtë funksionit dhe veshja metalike e tyre shitej si skrap.

Ina Rama, Prokurorja e Përgjithshme, e cila udhëheq hetimin, thotë se katër qytetarë shqiptarë së shpejti mund të përballen me akuzat. Ajo thotë se “nuk kishte fare masa sigurie” në vendin e punës. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim të vetin dhe po ofron një ndihmë të çmuar, thotë ajo. Sidoqoftë, shumë shqiptarë kanë frikë se gjërat do të mbulohen. Në mes të shtatorit, Kosta Trebicka, një biznesmen që u kthye në një dëshmitar të çështjes, vdiq, pasi makina e tij u aksidentua në një rrugë të largët malore. Politikanët e opozitës pretenduan se vdekja e Trebickës, që ishte dëshmitar për prokurorinë, nuk ishte aksident. Zoti Berisha shpreson se anëtarësimi në NATO do ta ndihmonte të ndryshonte imazhin e Shqipërisë për korrupsion dhe mungesë ligji. Ai ka patur sukses deri tani. Ekonomia është rritur me 6 për qind në vit, bujqësia po rigjallërohet dhe investimet e huaja kanë filluar të hyjnë. Një kompani kanadeze po rinovon fushat e harruara të naftës, një grup turk po ndërton një rrjet telefonik të lëvizshëm. Një autostradë e re drejt Kosovës pritet të mbarojë vitin tjetër, që do të rritë tregtinë dhe turizmin rajonal.

Shqipëria ka patur rezultate të mira edhe në dy raporte të rëndësishme: raporti i Bankës Botërore “Doing Business” dhe indeksi i korrupsionit nga “Transparency International”. Nëse drejtësia sqaron shpërthimin e municionit, rezultatet e vitit të ardhshëm do të jenë edhe më të mira.

*Titulli është redaksional. Titull origjinal është: “Sekreti i fundit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›