Platini, vlerat e futbollit dhe (sur)realiteti shqiptar

Albania-Sport - Edhe pa u zgjedhur në postin e Presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit, Platini sigurisht që i njihte problemet që shqetësojnë këtë sport në kontinentin tonë. Në fjalimin që mbajti në Dyseldorf, deklaroi që do të impenjohet për të mbrojtur vlerat e sportit. Ai theksoi se një nga të këqijat më të mëdha të futbollit në kontinentin e vjetër janë shfaqjet e korrupsionit. Presidenti i ri nuk e vuri theksin në cënimin nga ana e shtetit të autonomisë së sportit.
Gjithsesi, shqetësimi i Platinisë, duket se është në një linjë me realitetin tonë. Para pak ditësh, Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shprehur shqetësimin që deri me 19 janar 2007 kane sjelle kërkese për Kartën Internacionale te Transferimit klubi i Apolonisë për portierin Zendeli nga Maqedonia (ky dokument ka mbërritur ne FSHF) dhe klubi i Dinamos për dy lojtaret, Mile nga Norvegjia dhe Nuhiji nga Maqedonia.
Por as nga krerët e Federatës, as nga presidentë klubesh dhe zyrtarisht, as nga trajnerë apo futbollistë, nuk flitet për hollësi kontratash, sidomos për ato financiare; nuk bëhen publike fakte që për lexuesin e një vendi perëndimor janë gjëra të rëndomta. Me plot gojën mund të thuash futboll në të zezë. Ndoshta edhe këtë aspekt të korrupsionit ka patur parasysh Platini. Kampionatet tona shqiptare vuajnë nga shitblerjet e ndeshjeve, ku kanë marrë pjesë të gjithë aktorët e një ndeshjeje futbolli. Ndoshta edhe këtë e ka patur parasysh Platini kur foli për korrupsion.
Futbolli ynë vuan nga dhuna, mediokriteti, cilësia e dobët, mungesa e theksuar e profesionalizmit në pkesën më të madhe të piramidës, tipare këto që kanë ndikuar në largimin e shikuesve. Ndoshta edhe këto ka patur parasysh Platini kur theksoi: "Futbolli është një lojë para se të jetë një produkt, një sport para se të jetë një merkato, një spektakël para se të jetë një biznes".