Kryeministri Berisha i dërgon mesazh Kryeministrit Berluskoni, për ngjarjen e rëndë të shkaktuar nga tërmeti
Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh Kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni, përmes të cilit i shpreh ndjenjën e pikëllimit më të thellë, si dhe ndjenjat e solidaritetit dhe simpatisë për familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin mik italian, në këto çaste të vështira, ku një tërmet i rëndë ka goditur zonën e Abruzzo-s dhe ka marrë shumë jetë njerëzish, ka plagosur shumë të tjerë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin, Kryeministri Berisha, përmes këtij mesazhi, shpreh gjithashtu bindjen se qeveria dhe populli mik italian do të dinë të kapërcejnë me vendosmëri pasojat e rënda të këtij tërmeti.
Gjithashtu, në këtë mesazh, Kryeministri Berisha i bën të ditur homologut të tij Silvio Berluskoni se, qeveria shqiptare ka vendosur të akordojë një shumë modeste prej 50 mijë euro, në ndihmë të familjeve të lënduara nga kjo ngjarje e rëndë natyrore.
06/04/2009