Zogaj: Ngërçi për ambasadorët,duhen bisedime
ADI SHKEMBI
Pak ditë pas vizitës së Presidentit Topi në Kosovë, kreu i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj flet për mungesën e tij në delegacion. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai theksoi se mospraninë e tij ia ka komunikuar kreut të shtetit, ndërkohë që reagon lidhur me mënyrën se si formohen delegacionet në vizitat jashtë shtetit.
Prej disa kohësh, 12 përfaqësi diplomatike shqiptare nuk kanë ambasador. Mes tyre është edhe Gjermania dhe OKB-ja, për të cilat dihet se kush është pesha ndërkombëtare që zënë. Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Jashtëm, si e komentoni këtë situatë?
Bëtë mirë që e diferencuat Gjermaninë dhe OKB-në sepse jo kudo mungesa e ambasadorit ka të njëjtën peshë. Në tërësi e konsideroj një anomali këtë situatë dhe shpresoj se do kapërcehet shumë shpejt. Si Komision i Jashtëm, ne veprojmë si një hallkë ndërmjetëse midis propozuesve, që janë Ministri i Jashtëm dhe Kryeministri dhe dekretuesit, që është Presidenti. Ne kemi qenë kurdoherë korrekt dhe kemi vepruar në kohë konform ligjit si Komision i Jashtëm. Këtu duket qartë se për disa emra, jo për të gjithë, ekziston njëlloj disensi (mospajtim) mes dekretuesit dhe propozuesit dhe pastaj zgjidhja mbetet pezull. Kjo ose rregullohet me një konsultim paraprak të institucioneve ose në qoftë se nuk është rruga më e drejtë, nëpërmjet vendosjes së afateve. Secili institucion që merret me shqyrtimin e emërimit të një ambasadori ka afate dhe duhet të veprojë brenda afatit, pra pranohet apo refuzohet brenda afateve, siç është praktika për disa fusha të tjera.
E shikoni edhe këtë pikë si pjesë e marrëdhënieve të ftohta mes maxhorancës dhe Presidentit?
Historia e vonesës së dekretimeve të kandidatëve për ambasadorë nuk ka dalë për herë të parë gjatë presidencës Topi. Edhe gjatë kohës së Moisiut ka qenë i njëjti problem. Opozita në disa raste ka kundërshtuar në Komisionin e Jashtëm kandidaturat e propozuara dhe në tërësi këto kundërshtime kanë pasur efekt tek akti ose te mungesa e aktit të Presidentit. Në kohën e Moisiut kjo ka ndodhur. Kurse me Presidentin Topi kemi disa kandidatë që kanë kaluar në komision. Psh kandidati për ambasador në Gjermani ose OKB, ka plot që janë dekretuar sepse ka pasur ndërrime të shumta ambasadorësh këto vite. Siç e thashë në fillim, Presidenti nuk ka detyrim të japë shpjegim në Komisionin e Jashtëm për arsyet e mosdekretimit apo dekretimit me vonesë. Ai është kompetent në veprimet që ndërmerr dhe nuk jep shpjegime. Nuk i dimë arsyet. Duke respektuar pozicionin institucional të çdokujt këtu, produkti na tregon se ka lindur një anomali. Gjithsekush mendon se po bën më të mirën, por në tërësi shohim që kemi disa ambasada pa ambasadorë. Kjo ndodh por s'mund të zgjasë kaq shumë.
Për pak ditë bëhet një vit nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria, e cila ka qenë ndër të parat që e ka njohur, nuk përfaqësohet atje në nivel ambasadori....
Besoj se do zgjidhet së shpejti. Edhe kjo është anomali. Ky është rasti më tipik i anomalisë që ekziston në këtë trekëndësh institucional, ku shqyrtohet dhe vendoset për emërimin e ambasadorëve. Më në fund është zhbllokuar. Të mërkurën kandidati për ambasador, Islam Lauka, do jetë në Komisionin e Jashtëm në seancë dëgjimore. Propozimi ka mbërritur edhe në presidencë dhe besoj se çdo gjë do të zgjidhet. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria ka krijuar vakum diplomatik në marrëdhëniet me Kosovën. Ne kemi atje një mision që vepron prej vitesh në Kosovë. Për shkak të të qenit një komb, roli i ambasadave është relativ për sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve. Pasi janë me dhjetëra e dhjetëra kanalet e lidhjet e tjera që kompensojnë kurdoherë edhe atë mangësi që mund të krijohet në zyrat e ambasadës.
Gjatë vizitës së Presidentit të Republikës në Kosovë, ra në sy mungesa e ndonjërit prej ministrave të kabinetit "Berisha",. Megjithëse protokolli i shtetit e kërkon këtë. A justifikohet thyerja e protokollit për shkaqe që lidhen me klimën politike mes institucioneve?
Unë nuk jam në gjendje të pohoj se prania e ministrave në vizitat jashtë vendit të Presidentit të Republikës është një rregull i shkruar. Mendja më thotë se nuk mund të jetë një rregull i shkruar, por praktikat e mira dhe solemniteti i shtetit e kërkojnë këtë, edhe kur Presidenti ka ardhur nga partia që nuk është në pushtet për momentin. Në parim, klima politike mes institucionesh nuk do të përligjte thyerjen e asnjë rregulli apo ligji të shkruar. Por, e përsëris, me sa jam në dijeni protokolli i shtetit tonë nuk parashikon detyrime të tilla.
Ndërkohë, nga Presidenca është njoftuar se vizitës së Presidentit Topi në Kosovë i janë shmangur edhe tre kryetarë të komisioneve të përhershme parlamentare, konkretisht ju si kryetar i Komisionit të Jashtëm, zoti Demi si Kryetar i Komisionit të Sigurisë dhe zoti Spaho si kryetar i Komisionit të Ekonomisë, fakti i cili në kontekstin e mungesës së Ministrit të Jashtëm apo ndonjë ministri tjetër ka krijuar përshtypjen e një bojkoti të vizitës së Topit në Kosovë nga maxhoranca. Si e komentoni ju këtë fakt?
Duke parë madhësinë dhe cilësinë e delegacionit, mendoj se nuk ishte rasti për të marrë mungesat. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me institucione të ndryshme, të pavarura nga njëri-tjetri. Kam përshtypjen se ne të gjithë jemi ftuar individualisht, secili në hesap të vet, gjë që nuk më duket normale, për të mos thënë më shumë, pra nuk e kemi ditur për njëri-tjetrin. Arsyen e mungesës sime ia kam bërë me dije Presidentit në mënyrë korrekte.
Në telefonatën e orëve të vona afër mesnatës?
Besoj se kjo gënjeshtër e ulët nuk ka dalë nga zyrat e presidencës, por është spekulim i ndonjë televizioni. Unë kam komunikuar në një orë normale me Presidentin dhe ai më ka kthyer përgjigje po në orë normale.
A keni marrë ju porosi nga drejtuesit e partisë për të mos shkuar në Kosovë me zotin Topi?
Absolutisht jo! Mua, duke qenë në PD, më ndodh të marr ndonjë porosi pozitive, në kuptimin që të shkoj në ndonjë media apo në ndonjë veprimtari edhe kur nuk e kam në plan vetë, por porosi negative, në kuptimin që të mos shkoj këtu apo të mos shkoj me ketë, nuk më janë dhënë e nuk më jepen. Kam një pozicion timin që më respektohet, mandej koha ka treguar se zakonisht me veprimet e mia, që nganjëherë duken si të pavarura, unë i bëj shumicës më mirë se sa konformistët.
Domethënë është arsyeja e mungesës së dritave në zonë?
Kjo është kryesorja, kishte pesë ditë që zona ishte në terr dhe po plaste protesta. Atë ditë kanë qenë tërë kohën në Manati, Spiten, Zejmen, Pllanë me Arben Doçin, Luigj Shytin, Shuk Matoshin, Gjoke Frangajn, Edmond Ndreun, Bardhok Kolthin, Pjetër Lesin e shume drejtues lokalë, elektricistë, punëtorë e kështu me radhë.
A e justifikon kjo mungesën në një delegacion si ky që vizitoi Kosovën?
E justifikon deri diku. Natyrisht, duke dashur të respektoj Presidentin, unë i kam thënë të vërtetën. Tjetri nganjëherë respektohet duke mos ia thënë krejt të vërteten. Po të isha ftuar normalisht, në respekt të postit që mbaj në Kuvend, që nuk është posti im, por i Kuvendit, sigurisht do të isha më i motivuar për të lënë mënjanë angazhimet në zonë dhe për të shkuar me Presidentin që kam votuar. Por këtu ka një problem që duhet zgjidhur tani e tutje: rëndom ftohemi pa na dhënë një program, një listë të delegacionit, pa ditur vendin ku do të rrimë, si do të rreshtohemi. Dhe na ndodh pastaj të shihemi me habi me njëri - tjetrin apo të dalim tepër atje ku shkojmë. E pse? Vetëm pse u dashka shtuar numri i njerëzve që shoqërojnë titullarin. Kjo nuk shkon. Ne nuk mund të ftohemi si nga rruga, unë nuk mund të ftohem kështu. Dhe tani që doli se paskemi qenë ftuar tre kryetarë komisionesh, hapësira për reflektim është edhe më e madhe.
Në ç'kuptim?
Në kuptimin e protokollit dhe të arsyeve se si duhet ndërtuar një delegacion.
Por ka edhe raste të tjera, zoti Zogaj, kur manifestohet një tension mes shumicës së zotit Berisha me Presidentin Topi. Kjo nuk mund të mohohet, a ka një strategji shumica në këtë drejtim?
Tensioni ndihet herë pas here, por unë nuk jam në dijeni të fakteve të tilla që do të më bënin të mendoja se ka krizë. Topi nuk është një president partiak, ai tashmë i ka përgënjeshtruar zërat opozitarë që nuk e votuan, duke e konsideruar partiak. Duke inkurajuar veprimin e tij institucional mbipartiak, unë do të dëshiroja që ai të ruante marrëdhëniet pozitive me partinë ku ka bërë karrierë dhe nga ka dalë si President. Nga ana tjetër, e kam thënë edhe herë të tjera, pavarësisht se veprimet e Topit nuk pëlqehen ndonjëherë nga pala jonë, ne duhet të bëjmë përpjekje për të ruajtur kanalet e komunikimit normal me Presidentin. E majta, siç e keni parë, përpiqet ta paraqesë si një lloj senati të mendimit panelin e politikanëve të saj kryesorë, përsa i përket karrierës. Edhe ne duhet t'i mbajmë bashkë dhe t'i administrojmë sa më mirë përvojat vetjake dhe të grupeve të së djathtës.
Propozimi i Laukës mbërrin te Topi
Emri i Islam Laukës, i propozuar nga Ministria e Jashtme në postin e ambasadorit në Kosovë, mbërrin në Presidencë për dekretim. Pas gati 11 muajsh që nga miratimi i vendimit në mbledhjen e qeverisë, Lauka pritet të marrë firmën e kreut të shtetit për të përfaqësuar Shqipërinë në nivel ambasadori në vendin fqinj. Ndërkohë, ditën e mërkurë në Komisionin e Jashtëm do të zhvillohet një seancë dëgjimore me kandidatin për ambasador në Kosovë. Lauka, ka qenë më parë sekretar i Parë i Ambasadës Shqiptare në Moskë. I diplomuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë për rusisht, Lauka e ka nisur karrierën në vitin 1986 në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe një vit më vonë referent në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe më pas në detyrën e përgjegjësit të sektorit. Në vitet 1991-1995, Lauka ka qenë në Moskë me gradën e Sekretarit të Parë, si dhe me pozicionin e të ngarkuarit me punë. Në dikasterin e diplomacisë shqiptare është rikthyer sërish në vitin 2005, si Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me vendet fqinje, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.