Nis aplikimi për kartat,afati skadon më 1 shkur
ADI SHKEMBI
Në prag të nisjes së procesit për pajisjen me kartat e identitetit, Ministri i Brendshëm i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të paraqiten për të aplikuar. Pak orë nga hapja e sporteleve të postave, ku do të jetë edhe ndalesa e parë për pajisjen me letërnjoftimin biometrik, zëdhënësi i kësaj ministrie tha në një deklaratë për shtyp se “në vigjilje të kësaj ngjarjeje tepër të rëndësishme, së pari për vetë qytetarët shqiptarë dhe së dyti për proceset integruese të Shqipërisë, Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik”.
Procedura
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme ka bërë edhe njëherë të ditura hapat që do të ndjekin qytetarët për pajisjen me kartat e identitetit. “Skema e aplikimit për këto dokumente është fare e thjeshtë. Paguhet, në postë ose pranë institucioneve ku keni qendrën e punës, tarifa për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Qytetari paraqitet në zyrat e aplikimit, që janë pranë çdo njësie bashkiake. Qytetari paraqet mandatarkëtimin dhe prezantohet duke treguar një nga dokumentet që mund të identifikojë veten, (pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, fletëhyrje për në institucione etj)”, u shpreh Konja. Më pas punonjësi i zyrës së ngritur në gjendjen civile do të nisë plotësimin e formularit të aplikimit, i cili pas kontrollit të të gjitha të dhënave dhe garancisë që ato janë të sakta, në fund do të firmoset nga qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse ka ndonjë informacion jo të saktë mbi të dhënat personale të qytetarit, ky i fundit do t’i drejtohet gjendjes civile për të rregulluar pasaktësitë. Më pas qytetari, po në të njëjtën zyrë të ngritur për këtë proces, do të vendosë shenjat e 10 gishtave, do të dalë në fotografi dhe më pas do të hedhë firmën elektronike. “Gjithçka në një zyrë dhe vetëm njëherë. Pas jo më shumë se dy javësh merret letërnjoftimi në po të njëjtën zyrë. Duhet ardhur personalisht se letërnjoftimi duhet aktivizuar dhe ka nevojë për përputhshmërinë e gishtit tuaj me ato që karta përmban”, u shpreh më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. “Ministria e Brendshme vlerëson se qytetarët shqiptarë janë plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit, për të qenë jo thjesht përfitues por edhe kontribuues në realizimin e plotë dhe me sukses të këtij procesi. Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme fton qytetarët të bëhen pjesë e këtij suksesi në rrugën e integrimit drejt familjes së madhe evropiane”, vijoi më tej Konja. Në një reagim një ditë më parë ndaj akuzave të PS-së për këtë proces, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme theksoi se qeveria mori të gjitha masat për të pasur një produkt me kosto të ulët, duke përjashtuar edhe nga TVSH-ja letërnjoftimin elektronik dhe duke ulur në këtë mënyrë, edhe me 35% koston e tij. Sipas tij, reagimi i opozitës për Regjistrin Kombëtar të Shtetasve është një deklaratë e papërgjegjshme. “Sot për herë të parë në Shqipëri ka një regjistër unik dhe elektronik të shtetasve, me ndërfaqe on-line me procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike”, tha Konja.
Hapat për aplikimin
Më 12 janar nis procesi i aplikimit me kartat e identitetit. Hapi i parë që duhet ndjekur është ai i pagesës në postë të shumës prej 1200 lekësh dhe më pas ai pajiset me mandat arkëtimin.
Më pas qytetari dorëzon mandat arkëtimin në zyrën e ngritur enkas në zyrën e gjendjes civile.
Pas dorëzimit të mandat arkëtimit, qytetari vë shenjën e gishtave, bën fotografinë dhe hedh firmën, e cila do të brendashkruhet në kartën e identitetit.
Në të njëjtën kohë, punonjësi i zyrës plotëson formularin me të dhënat e qytetarit të marra nga regjistri themeltar i shtetasve.
Pas 15 ditësh qytetari merr kartën e identitetit.
Karta e identitetit ka vlefshmërinë 10 vjet.
Dade: Kartat e identitetit,një premtim i pambajtur
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me Shqipërinë tha se një nga faktorët e dështimit të këtij procesi është dhe dështimi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti. “Në qoftë se do t’i referohemi raportit, i cili është hartuar mbi bazën e raportimeve të vendeve përkatëse, pra Shqipëria, maxhoranca është e qartë që nuk i ka përmbushur këto standarde, sepse raporti është hartuar mbi bazën e raportimeve të vendeve përkatëse. Bëhet fjalë për katër blloqe kryesore. Blloku i parë ka të bëjë me pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit, pra është një premtim i pambajtur, nuk është bërë progres dhe ka paqartësi”, tha Dade. Në një konferencë për gazetarët, Arta Dade tha se shqiptarët kanë humbur shansin më të mirë për të shfrytëzuar politikën e Çekisë, e cila kishte si përparësi kryesore liberalizimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera, Dade është shprehur se vendi ynë është në një stad të njëjtë me Bosnjë- Hercegovinën, e cila është një vend me një problematikë shumë komplekse. “Më lejoni të kujtoj, që në 2006 Ministrja e Integrimit premtoi që brenda 2006 do të ketë liberalizim vizash me BE dhe me vendet përkatëse të këtij bashkimi” - tha Dade. Duke iu përgjigjur sekretares socialiste, Ministria e Jashtme përmes një njoftimi për mediat tha se “Bashkimi Evropian e vlerëson Shqipërinë si vendin që ka kryer reforma të guximshme, të cilat Brukseli i konsideron frymëzuese për vendet e tjera të rajonit, me luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, stabilitetin e lartë ekonomik, politik dhe social që po tregon, si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj në rrugën drejt integrimit evropian”, shprehet në reagimin e saj, Ministria e Jashtme.