Nesër promovohet partia e re shqiptare në Maqedoni
Nesër në Shkup do të promovohet partia e re shqiptare që do të udhëhiqet nga Imer Selmani, ish-nënkryetari i PDSH-së.
Në promovimin e këtij subjekti politik do të prezantohet emri i partisë dhe këshilli nismëtar që do të merret me strukturimin e partisë dhe hartimin e programit.
Imer Selmani deklaroi sot se 3 deputetët e tyre do të kthehen prej të martës në Parlament.
Selmani deklaroi se partia e re, emri i së cilës do të bëhet publike gjatë ditës së hënë nga Këshilli Nismëtar do të jetë një opozitë konsktruktive, pjesë e debateve parlamentare dhe do të mbështes çdo iniciativë që do të jetë për qytetarët dhe aspiratat evroatlantike të Maqedonisë.
Imer Selmani ka përgënjeshtruar zërat se partia që do të drejtojë ai është projekt i VMRO-DPMNE dhe kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, për partneritet në bashkëqeverisje nëse dështon qeverisja me BDI-në e Ali Ahmetit.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse përcaktimi jonë do të jetë opozitar dhe ne do të masim forcat tona vetëm në zgjedhje.Për ne nuk është me rëndësi numri i deputetëve, por cilësia e tyre. Andaj tre deputetë që jemi kemi përvojën dhe do të ngrejmë zërin e arsyes për shumë çështje”, theksoi Selmani.
Partia e re deri tani nuk ka publikuar emrin e saj, edhe pse sipas paralajmërimeve në mbledhjet e fundit të këshillit të saj nismëtar është mbështetur emri Demokracia e Re. Në radhët e këtij subjekti janë kyçur një pjesë e madhe e anëtarësisë së PDSh-së dhe krerë të lartë të kësaj partie. (INA)