Nesër udhërrëfyesi për liberalizim të vizave
Pjesë e këtij delegacioni janë edhe Ministri i Punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrim Evropian Lutfi Haziri, Ministri i Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli, Kryetarët e Komunave, Ali Berisha – Pejë, Haki Rugova – Istog, Bojan Stojanoviq – Graçanicë, dhe Qemajl Mustafa - Gjilan.
“Komisionerja Malmström dhe zyrtarë tjerë nga Drejtorati i përgjithshëm për punë të brendshme dhe Drejtorati i përgjithshëm për zgjerim të Komisionit Evropian si dhe përfaqësues të institucioneve tjera të Bashkimit Evropian do të takohen me Ministren Çitaku dhe delegacionin të enjten më 14 qershor në orë 11:00 në Komision Evropian. Në këtë takim Komisionerja Malmström do të bëjë dorëzimin e dokumentit të udhërrëfyesit dhe do të diskutoj rreth përmbajtjes së tij”, bëhet e ditur nga Ministria e Integrimeve Evropiane.
Të njëjtën ditë, do të mbahet edhe takimi i parë i Zyrtarëve të nivelit të lartë, sipas praktikës së regullt të procesit si edhe në vendet e rajonit që kanë përfituar lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së. Në këtë takim delegacioni i Komisionit Evropian udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtoratit për punë të brendshme, Stefano Manservisi.
Në këtë takim pritet që Komisioni Evropian të jep shpjegime të hollësishme rreth përmbajtjes së udhërrëfyesit, ndërsa Ministrja Çitaku do të prezantoj të arriturat e deritanishme në fushat që mbulon udhërrëfyesi si dhe hapat që qeveria do t’i ndërmerr në vazhdim në mënyrë që i gjithë procesi të përshpejtohet për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian.