E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër,EULEX-i nis punën në Kosovë

Më 9 dhjetor në mesnatë pritet fillimi zyrtar i dislokimit të misionit të Bashkimit Europian, EULEX në Kosovë, i cili do të zëvendësojë UNMIK-un. E hëna, 8 dhjetor, është dita e fundit e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.Nuk është paralajmëruar asnjë ceremoni e veçantë për nisjen e punës së EULEX-it, por tranzicioni në heshtje pritet t'i tregojë shenjat e veta në javët dhe muajt e ardhshëm në terren. Me fillimin e operimeve të misionit më të madh që BE-ja ka pasur në ndonjë vend, pritet që të zvogëlohet roli i deritanishëm i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Këtë e paralajmëroi dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier. "Sigurisht që duke filluar nga e marta, UNMIK-u do të jetë shumë ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani", tha Zannier. EULEX-i në periudhën e parë të veprimit pritet të nisë me kapacitete fillestare, të cilat pritet të plotësohen deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Sfida kryesore me të cilën pritet të ballafaqohen policët, gjykatësit dhe prokurorët europianë të EULEX-it, do të jetë çështja e veprimit të tyre në terren dhe përcaktimi i operimeve në kuadër të kornizave ligjore në Kosovë, të cilat vazhdojnë të jenë të ndryshme. Beogradi zyrtar kishte kërkuar që EULEX-i të veprojë në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Prishtina zyrtare ka këmbëngulur që EULEX-i të zbatojë ligjet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pavarësisht zonave të operimit në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›