E Diel, 1 Nëntor 2026

Neurologjia pa ilaçe, pacientët blejnë dhe qetësuesit për dhimbjet

Familjarët e pacientëve: I blejmë vetë të gjitha mjekimet


Mungesa e theksuar e medikamenteve edhe në spitalin nr 5 i njohur ndryshe si Neurologjia është kthyer kohët e fundit në makth për shumë të afërm të pacientëve të cilët qëndrojnë me javë të tëra në dyert e spitalit. Edhe pse pavijonet e këtij spitali janë

rikonstruktuar kohët e fundit madje të gjithë pacientët e neurologjisë janë pajisur kohët e fundit edhe me spitalin e ri në pavijonet e këtij spitali vihet re mungesa e theksuar e ilaçeve. Edhe pse rikonstruksioni i spitalit ka qenë një ndër objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë, vetë Ministri Vasili duket sikur ka harruar pajisjen e spitalit me medikamente gjë e cila ka sjellë edhe reagime nga vetë të afërmit e pacientëve, por jo vetëm kaq. Edhe infermieret e spitalit të neurologjisë kanë theksuar ditën e djeshme për gazetës SOT se mungesa e shumë ilaçeve për mjekimin  e pacientëve ka shkaktuar probleme të mëdha në këtë spital. Diana. Z. një prej infermiereve të këtij spitali ka deklaruar ditën e djeshme se ka rreth 8 deri 9 muaj që nga Ministria e Shëndetësisë por edhe nga Drejtoria e QSUT-së nuk ka pasur furnizim me ilaçe dhe në të shumtën e kohës të afërmit e pacientëve janë të detyruar ti blejnë vetë të gjitha mjekimet, e në shumë raste edhe qetësuesit të cilët janë të vetmet medikamente që janë të detyrueshme të gjenden në spital. Por mungesën e ilaçeve e deklarojnë edhe familjarët e pacientëve të cilët në këtë rast janë më të prekurit nga ana financiare duke pasur parasysh edhe faktin që përgjithësisht medikamentet që përdoren për sëmundjet e rënda si paralizat apo sklerozat e ndryshme kushtojnë shumë shtrenjtë. Agron Fejzo një prej familjarëve të pacientëve tha dje për gazetën se për një javë ka harxhuar rreth 1 milion e gjysëm lekë vetëm për kurën e parë të dhënë nga mjekët për familjarin e tij të shtruar me paralizë. Sipas këtij qytetari është shumë e vështirë që të blihen të gjitha barnat ose mjekimet privatisht sepse në rastin kur pacienti nuk është i siguruar shuma e parave për blerjen e medikamenteve është e papërballueshme. Ndërkohë një tjetër i afërm i një prej pacientëve të operuar në neurokirurgji tregon për gazetën se në këtë pavijon mungojnë gati 60 për qind e mjekimeve apo e medikamenteve. Barnat të cilat mungojnë prej pothuajse 9 muajsh në neurologji janë, nga grupi i antibiotikëve: Gentamicyn, Streptomycin, Neomycin, Amikacin, Erythromicine, Sulfonamidet, Lincomycine, Beta - bllokatorët (Propranolol, Oxprenolol, Atenolol, Timolol oftalmik ); bllokuesit e kanaleve të kalciumit (Nifedipine, Verapamil), Procainamidi, Chlorpromazina, Haloperidol, Phenytoina, Lithium, Magnesium sulfate, Chloroquine, Penicillamine, Moprphine, Codeine, benzodiazepinet. Që prej disa muajsh edhe trajtimi adekuat i sëmundjes me kombinim të barnave inkibitorë të kolinesterazës, barna imunosupresive, plazmaferezë, imunoterapi si dhe trajtimi në njësitë e kujdesit intensiv bëhet në mënyrë të reduktuar. Por një tjetër shqetësim për të afërmit e pacientëve janë edhe çmimet e larta të vendosura nga drejtoria e QSUT-së për shërbimet, analizat apo ekzaminimet në pavijonet e Neurologjisë.

Kostoja
Shërbimi i neurologjisë, ashtu si edhe të gjitha shërbimet e tjera në QSUT është një tjetër pavijon që trajton sëmundje të shpeshta në radhët e shqiptarëve e që dallohet ndër spitalet e pavijonet e tjera me kostot më të larta. Konkretisht, për një pacient që shkon në neurologji, financimi është 89389 lekë dhe një ditë shtrimi 10713 lekë. Ndërkaq në neurokirurgji, kosto për një pacient kap shifrën e 59103 lekëve dhe për një ditë shtrim, fatura është 7833 lekë të reja. Ndërkohë Psikiatria, një tjetër shërbim në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza e ka koston për një pacient 35230 lekë dhe për një ditë shtrimi 3122 lekë. Përfundimisht, në total, shpenzimet për një pacient shkojnë në 66362 lekë për shërbim, ndërsa për ditë shtrim në 10471 lekë.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›