Nevil Dede, e ardhmja në Shqipëri, Greqi ose Qipro
Nevil Dede do të largohet nga kampionati kinez, për të vazhduar karrierën në Ballkan. Lojtari e cilëson të suksesshme aventurën në shtetin aziatik, me ngjyrat e Çangsha Gindes dhe tashmë është në pritje të ofertave. Alternativat janë kampionati shqiptar, por edhe liga greke dhe ajo qipriote. "Ka qenë një sezon i gjatë dhe menjëherë sapo të përfundojë do të largohem nga Kina", deklaroi ish-mbrojtësi i Kombëtares për "albaniasoçer.com". "Mendoj se me kontributin dhe eksperiencën time e ndihmova skuadrën e Çangshasë që të arrinte objektivin e saj, pra qëndrimin në Superligë". Më tej, Dede flet rreth alternativave: "Rikthim te Tirana? Pse jo, Tirana është një skuadër që do ta shoh gjithmonë me prioritet. Pas datës 1 dhjetor do të jem lojtar i lirë dhe në janar do të vendos ku do të luaj. Kam oferta nga disa klube në Greqi dhe Qipro, përveç 4-5 skuadrave që interesohen në Shqipëri, por deri më tani nuk mund të flasim konkretisht".